Të enjten në Spitalin e Gjilanit, u shënua java ndërkombëtare e infermierisë, pasiqë datat 5 dhe 12 Maj, janë data të cilat shënojnë: 5- Maji ditën ndërkombëtare të mamive, si dhe 12 –Maji dita ndërkombëtare e infermierisë, pra është periudhë kohore e shënimit të javës ndërkombëtare të infermierisë ka thënë Xhavit Ramadani.
Me këtë rast studentët e kolegjit Heimerer nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e mentorëve klinik, organizuan matjen vullnetare të tensionit të gjakut për qytetarët tanë, matjen pulsit, si dhe matjen e glikemisë.
Të shumtë ishin qytetarët e interesuar për matjen e këtyre parametrave, si dhe pyetjet e tyre rreth parandalimit dhe masave mbrojtëse kundër këtyre problemeve. Më pas ata aktivitetin e tyre e zhvilluan në Spitalin e Gjilanit ku organizuan debat me temën: “Infermieria zëri që udhëheq – shëndeti është e drejtë njerëzore” e cila është edhe porosi e këtij viti nga organizata NCN, ku studentët potencuan se me arritjen e gjeneratave të reja edhe Infermieria Kosovare po transformohet dhe dita ditës ajo po synon arritjen e standardeve të vendeve të rajonit dhe më gjerë.
Studenti Urim Shabani potencoi se gjatë kohës sa ka qenë në pjesën praktike në Spitalin e Gjilanit ai ka asistuar dhe ka marr pjesë gjatë ndërhyrjeve të ndryshme infermierore dhe që asnjëherë nuk ka hasur në ndonjë ankesë apo vlerësim negativ në këtë institucion.
Ndërsa studentja Liridona Avdyli prezantoi temën “Infermieria një profesion pakufi” ku ajo u mundua që të sqaroj dhe t’i jap kuptim profesionit, përgjegjësisë dhe detyrave të infermierëve në ditët e sotma.
Në emër të studentëve mentori Xhavit Ramadani falënderoi menaxhmentin e Spitalit të Gjilanit për mundësin e realizimit me sukses të pjesës praktike për të gjithë studentët, e që njëherit falënderoi edhe studentët për pjekurinë, profesionalizmin si dhe respektimin e kodit etik gjatë kohës sa ata janë në pjesën praktike.
Duke i përshëndetur dhe uruar suksese një fjalë rasti mbajti edhe Drejtoresha e Infermierisë znj.Sadije Ismajli e cila potencoi se bashkëpunimi mes nxënësve, studentëve dhe profesionistëve shëndetësor as që ka munguar në Spitalin e Gjilanit e as që do të mungoj edhe në të ardhmen.