Në mungesë të lirisë së shprehjes, shqiptarët në Kosovë, që me dekada të tëra ishin nën pushtimin ish-jugosllav kanë gjetur forma e mënyra për të përcjellë mesazhe, qëndrime, identitetin e vet e për t’iu kundërvënë ish-sistemit.
Një mesazh të tillë e ka edhe titulli i shfaqjes “Krejona” (K(osova) R(epublikë) e jona), emër që paraqet vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për të pasur Republikën e tyre, vullnet që u shpërfaq në fillimvitet e 80-ta.
Pikërisht në këtë temë, në mbrëmjen e parafundit të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2025” është dhënë Shfaqja “Krejona” që është prodhim i Teatrit “Bekim Fehmiu” nga Prizreni. Regjisor i kësaj shfaqje është Kaltërim Balaj, i cili është edhe autor i tekstit, kurse në shfaqje luajtën aktorët Alban Krasniqi, Edona Sopaj, Alban Morina, Alban Çela, derisa instrumentist në piano dhe kontrabas ishte Lulzim Lushtaku.
Është kjo një shfaqje kamertale, që trajton lirinë e shprehjes, me theks të veçantë, lirinë e shprehjes në kohë shtypje e okupimi nëpër të cilën kaluan shqiptarët. Ata shpesh lirinë e shprehjes e manifestonin nëpërmjet emrave të fëmijëve të tyre. Në këtë shfaqje edhe publiku u bë pjesë e saj, duke u ulur në skenën ku luanin aktorët, të cilët duke qenë afër me publikun me interpretimin e tyre kanë krijuar një lidhje të fuqishme.
Shfaqja trajton një periudhë të vështirë të popullit shqiptar në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar, të cilëve u ishte cunguar shumëçka në jetën e përditshme, bile edhe shprehja e lirë, andaj të gjetur në një situatë të tillë, ata mundoheshin që duke u vënë emra fëmijëve të tyre të japin mesazhe siç është edhe emri i titullit të kësaj shfaqje Krejona.
Sistemi politik i atëhershëm nis të ndalojë regjistrimin e këtyre emrave, shpesh edhe duke përbuzur dhe bullizuar fëmijët që kanë emra të tillë. Nëpërmjet kësaj shfaqje, regjisori mëton të vë në pah të dhënën se sa e rëndësishme është liria e shprehjes dhe shpesh nëpërmjet emrave më të cilët pagëzoheshin fëmijët mund të kuptojmë moshën, kohën e lindjes dhe në çfarë periudhe historikë është i lindur fëmija, ngase në periudha të ndryshme historike fjalët shqipe janë jetësuar me emra dhe porosi të ndryshme.
Shfaqja është pëlqyer nga publiku, që edhe vet e kishin përjetuar peshën e ish-regjimit, andaj për paraqitjen skenike dhe qasjen regjisoriale, ata u kanë duartrokitur gjatë Trupës Teatrore “Bekim Fehmiu” nga Prizreni.
Në mbrëmjen e radhës, që është e fundit në kuadër të “Talia e Flakës 2025” do të jepet shfaqja “Jam unë ajo” +18, me tekst të Valmira Thaqit dhe Dituri Neziraj, regjinë e të cilës e ka bërë Erson Zymberi.