Autor: Mirlind Behluli
Është i koncentruar maksimalisht teksa merr në shenjë për të qëlluar cakun që qëndron dhjetëra metra larg. Pranë tij është trajnerja nga Shqipëria, Lumturia Pepa, e cila ka ardhur enkas për ta ushtruar në fazën përfundimtare të përgatitjes për Olimpiadën e Tokios. “Drilon, kontrollo frymëmarrjen, mos harro shkrepjen, kujdes gishtin” – janë këshillat që përsëriten shpesh gjatë seancës që zgjatë me orë të tëra.
Qitësi nga Vitia, Drilon Ibrahimi, shitës ambulant me profesion, është njëri nga 11 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike që mbahen në Japoni.
E ndërpren seancën stërvitore në sallën e qitjes tek “Pallati i Rinisë” për të dhënë intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”.
Ndonëse ora shënon 13:00, Ibrahimi duket i lodhur pasi dita e tij fillon herët në mëngjes me Yoga e vazhdon me të tjera aktivitete që përfundojnë tek në mbrëmje.
I heq veshjet e stërvitjes që peshojnë disa kilogramë e të cilat i huazoi nga një shok meqë të tijat janë tashmë 15 vite të vjetra aq sa është e gjatë karriera e Ibrahimit prej qitësi.
Para se të fillojë intervistën, kujdeset që t’i zbathë edhe këpucët që po e shtrëngojnë, e të cilat ia dha për t’i përdorur një qitës tjetër.
I kapluar nga djersët, Driloni fillon rrëfimin e tij, i cili është i mbushur me plotë peripeti, ankesa e mbi të gjitha suksese.
Ibrahimi i tregon “Reporteri.net” se udhëton çdo ditë nga vendlindja për në Prishtinë pasiqë nuk ka ku të banojë gjatë kohës sa po i kryen përgatitjet për Olimpiadën “Tokio 2020”.
Ankesa e tij e parë është se të gjitha pajisjet me të cilat do ta përfaqësojë Kosovën janë të vjetra.
Pushka e tij, e kombinuar me pjesë të pajisjeve të garuesve tjerë kosovarë, ka mbi 12 vite që e përdorë e veshja që kushton afër 2000 mijë euro, është e grisur nën të dy sqetullat.
“Për lojëra Olimpike krejt i blejnë special, shkojnë me paisjet më të mira. Unë jam tu shku me të harrnume. Pushkën e kam të vjetër mbi 12-13 vjet, i ka gjujtë mbi 200 mijë pluma. Normalisht pas 60-70 mijë plumbave duhet me ndërru. I kam porositur teshat e reja, por ende nuk m’kanë ardh. Veç teshat e reja me i marrë ndikojnë në rezultat. Unë për momentin jam me sene krejt të vjetra. Pushkën e kam kompletu me pajisje të Urata Ramës, garueses së Kosovës në Olimpiadën 2016, kemi bo ekzibicione. Rezultati veç ka shku duke u rrit. Nëse m’kishin ardh teshat para se me shku në Olimpiadë, do isha kanë njeri ma i lumtur në botë”, thotë Driloni për Reporteri.net.
Për shkak të të ardhurave të vogla nga ky sport, Ibrahimi punon si shitës ambulant në një kompani lokale në Viti.
Ndërkaq vite më parë kishte punuar edhe si kamarier, megjithatë Ibrahimi arrinte t’i fitonte garat në Kosovë e regjion.