“Mjaft pritet në rend”, është mesazhi i postuar në uebfaqen e kompanisë “tiks.app”, që është kontraktuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për shitjen “online” të biletave për ndeshjen Kosovë – Azerbajxhan. Në vazhdim të mesazhit flitet për procedurat e lehta të blerjes “online” të biletave për ndeshjen e radhës të përfaqësueses.
Biletat për ta përcjellë Kosovën janë nxjerrë në shitje të enjten, për herë të parë “online” dhe kjo është parë si formë për të zëvendësuar shitjen nëpër pika të ndryshme, kur krijoheshin radhë të gjata e mbi të gjitha shumë pakënaqësi. Por pakënaqësi pati edhe me shitjen online, shkruan sot Koha Ditore.
Në rrjetet sociale, FFK-ja është sulmuar po aq ashpër sa herët e tjera kur bëhej fjalë për biletat. Në lajmin e postuar nga FFK-ja në Facebook për shitjen “online” disa dhjetëra komentues janë ankuar se sistemi nuk po funksionon dhe se “është mashtrim i radhës i saj”.
Gazeta ka provuar disa herë gjatë ditës të regjistrohet për të blerë biletë “online”, por nuk ia ka dalë. Të tilla ishin edhe komentet në lajmin e FFK-së se ka nisur shitja e tyre.
Gazeta ka kërkuar një sqarim nga kompania nëpërmjet e-mailit të nisur të enjten, por deri në orët e vona nuk ka marrë përgjigje./koha/