Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në Gjilan, ku një person dyshohet se pasi shkaktoi një aksident trafiku, tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe më pas rrezikoi edhe zyrtarët policorë gjatë tentativës për arratisje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka deklaruar për Radio Star se rasti ka ndodhur më 10 gusht 2026, rreth orës 02:40, në rrugën “Nato 99” në Gjilan. Sipas tij, i dyshuari, mashkull kosovar, duke drejtuar një veturë me targa vendore, fillimisht ka shkaktuar aksident trafiku duke goditur një automjet tjetër dhe më pas ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
“Personi i dyshuar shumë shpejt është lokalizuar nga ana e Policisë së Kosovës, mirëpo i njëjti ka tentuar t’u shmanget zyrtarëve policorë në urdhrin për ndalim, duke rrezikuar zyrtarët policorë dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafikun rrugor”, ka thënë Osmani për Radio Star.
Ai bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar sipas procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

