Një i vdekur e 23 të lënduar ishte bilanci i aksidentit të tmerrshëm që ndodhi në qendër të Gjilanit.
Aksidenti, sipas hetimeve të para erdhi pasi që kamioni i kompanisë së ujit “Peja” i kishte frenat e prishur.
Madje, prokuroria po dyshon se kamioni kishte tash e dy vite që nuk ishte i regjistruar.
E në lidhje me këtë çështje, prokuroria e Gjilanit ka bërë të ditur për lajmi.net se ka nxjerrë aktvendim, në bazë të së cilit do të angazhohet një ekspert i komunikacionit, dhe nga ekspertiza do të përcaktohen shkaqet e këtij aksidenti.
“Prokuroria në këtë drejtim, ka marrë aktvendim për angazhim të ekspertit të komunikacionit, ku nga ekspertiza do të përcaktohen shkaqet, nga të cilat është shkaktuar ky aksident”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Po ashtu, nga Prokuroria e Gjilanit kanë bërë të ditur për lajmi.net se do të angazhohet edhe një ekspert mjeko-ligjor, në bazë të së cilit do të përcaktohet natyra e lëndimeve trupore tek të lënduarit.
“Gjithashtu, prokuroria do të angazhojë edhe ekspert mjeko-ligjor, në mënyrë që të përcaktohet natyra e lëndimeve trupore, tek të lënduarit”, kanë thënë më tutje nga Prokuroria.
Qerim Çoçaj mbeti i vdekur nga aksidenti i tmerrshëm në qendër të Gjilanit ku përveq kamionit u përfshinë edhe shumë vetura.
Menjëherë pas rastit, nga Policia e Kosovës ishte arrestuar shoferi i kamionit ndërkaq që më vonë nga Prokuroria u ndalua edhe pronari i kompanisë së Ujit “Peja”.
Duke mos dashurt të komentojë më shumë për ecurinë e procesit, nga Prokuroria e Gjilanit kanë thënë për lajmi.net se janë në fazën fillestare të hetimeve.