Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani i është përgjigjur reagimit të ish-këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, pasi ky i fundit e ka quajtur Hasanin shërbëtor të regjimit kriminal që sundoi Kosovën për 20 vjet dhe që sipas tij Hasani ka gënjyer kur ka deklaruar se Xhafer Deva ka shtyrë përpara agjendën naziste.
Tutje studiuesi i historisë, Shkëlzen Gashi ka cituar historianin e mirënjohur Noel Malcolm mbi veprimtarinë e udhëheqësve nacionalistë shqiptarë gjatë luftës së dytë botërore, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Xhafer Deva dhe sipas Gashit, Hasani mendimin e tij e ka mveshur sikur mendim të historianit Malcolm.
E për këtë Hasani për Gazetën Express tha se për herë të parë për krimin ndaj hebrenjëve të Kosovës ka ndëgjuar nga Noel Malcolm, në vitin 1998, kur në pranverë të atij viti Hasani kishte bërë recnesionin e librit të tij mbi Kosovën. Ai thotë se krimi është bërë në kohën kur Xhafer Deva ka qenë ministër i Brendshëm.
“Unë për herë të parë për krimin ndaj hebrenjëve të Kosovës kam ndëgjuar nga Noel Malcolm, në vitin 1998, kur në pranverë të atij viti pata bërë recnesionin e librit të tij mbi Kosovën. Krimi është bërë në kohën kur Xhafer Deva ka qenë ministër i Brendshëm. Më vonë kam lexuar libra dhe recensione pafund që pohojnë të njejtën gjë, ndër të cilët më bindëset janë librat e David Motadel mbi Perandorinë nazist dhe Islamin, ku përfshihet Ballkani deti në detajet më të imëta. Recensioni im i librit të Noel Malkolm ka qenë i pari i llojit të vet, sepse është bërë akoma pa dalur në shitje libri i tij mbi Kosovën (një histori e shkurtër)”, tha Hasani.
Madje Hasani thotë se ajo çfarë ka thënë në intervistën e tij për Gazetën Express nuk ka asnjë dallim nga recesioni i librit të tij që iu dedikohet viktimave të dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“Ata që duan të dinë këtë fakt, mund të lexojnë recensionin në fjalë në librin tim “Tema të zgjedhura nga e drejta kushtetuese”, që gjendet në shitje në skriptoren e Fakultetit Juridik të UP, faqet 57-59 dhe 136-144. Libri im iu dedikohet viktimave të dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së fundit, ashtu që unë nuk marr asnjë cent aty. Ata që e lexojnë recensionin do të shohin se nuk ka asnjë dallim nga ajo që them në intervistën time në GAZETAXPRESS të datës 12 shkurt 2022”, tha Hasani.