200 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar deri më tani për të marrë 10 për qind të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Nëpërmjet një njoftimi nga TRUST ka lajmëruar për numrin e aplikimeve dhe kanë thënë se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta.
“Ju sigurojmë se kjo praktikë e aplikuar është shumë profesionale dhe nuk rrezikon sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe se deri me tani kemi mbledhur më shumë se 200 mijë aplikacione edhe përmes linkut të ofruar nga ASHI, që është https://trusti.rks-gov.net/.”, thuhet një njoftimit e TRUST-it.
Ky është njoftimi i plotë:
Reagim i përbashkët i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) rreth çështjes së sigurisë së portalit për aplikim online nga Trusti, të ngritura në publik.
E konsiderojmë të nevojshme të reagojmë përkitazi me publikimet dhe hedhjen e dyshimeve mbi sigurinë e portalit të Trustit, për aplikim përmes internetit për tërheqje të 10% të kursimeve të qytetarëve.
Ju informojmë se pas vështirësive të paraqitura gjatë fazës së lansimit të portalit të Trustit (trusti10.org) me qëllim të tejkalimit të këtyre problemeve është gjetur një zgjidhje alternative në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit – ASHI.
Ekspertët e ASHI-së dhe të Trustit kanë realizuar një zgjidhje teknike duke u bazuar në praktikat më të mira të sigurisë, ku është aplikuar certifikata e sigurisë së domainit *.rks-gov.net, e cila nuk i rrezikon shërbimet ekzistuese të domainit .rks-gov.net, e as sigurinë e certifikatës.
Certifikata e sigurisë i është dhënë në shfrytëzim Trustit, i cili po ashtu është Institucion i Republikës së Kosovës, dhe nuk bëhet fjalë për palë të treta sikurse që pretendohet në disa mediume elektronike.
Ndryshe, procesi i aplikimit online ishte paraparë që të niste nga ora 15:00, por për shkak të sulmit, mundësitë tjera janë vënë në funksion para orës 16:00.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.