Një javë para ditës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e radhës prej 17 mijë e 652 vëzhguesish.
Sipas të dhënave të KQZ-së deri më tani, duke përfshirë dhe grupin e sotëm, janë akredituar 32 875 vëzhgues.
Pastrimi i listave zgjedhore është një problem që tash e sa kohë, thuajse çdo herë që ka zgjedhje është një problem i madh.Por përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor thonë se janë duke punuar intensivisht në rifreskimin e listave zgjedhore.
Kështu ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në njërën nga intervistat e saj televizive.Po ashtu Daka ka bërë të ditur edhe numrin e votuesve, ku sipas saj janë rreth 1.8 milion votues, 35 mijë prej tyre votues të rinj.
Sipas saj, duke qenë se kemi zgjedhje të parakohshme, Daka ka deklaruar se nuk kanë pasur kohë që këtë herë të edukojnë votuesit e rinj.
“Afatet janë shume të shkurta, nuk do të kemi aq kohë që t’i edukojmë të gjithë ata që do të marrin për herë të parë fletë votimin në dorë”, u shpreh Daka.Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar rreth listave përfundimtare zgjedhore, të cilat sipas tij janë paraparë që të bëhen publike në qershor.Elezi, po ashtu ka bërë të ditur edhe njëherë numrin e votuesve që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.
“Lista Përfundimtare e Votuesve, nuk është certifikuar akoma nga Komisioni Qendror i Zgjedhje, pasi kjo është paraparë të bëhet më 1 qershor. Në bazë të Listës Jo-Përfundimtare të Votuesve, kjo listë përmban: 1 milion e 885 mijë e 147 votues”, ka deklaruar Elezi.Ndër të tjera, ai ka thënë se brenda pak ditësh do të dihet saktë numri përfundimtarë i personave që janë larguar nga lista./GazetaMetro/