Ka shkuar në katër numri i të arrestuarve të cilët dyshohet se e kanë dhunuar një vajzë 11 vjeçare në Prishtinë.
Kështu njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Sveçla tha se nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”.
“Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.
Më herët gjatë ditës ishin arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me rastin.
Ndaj tyre Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.