1. Për 4 vjet, mandat të plotë si rrallëherë në Kosovën e pasluftës, me “Krejt dhe drejt”, nuk arriti ta transformojë Kosovën. Madje, përkundrazi, dështoi në shëndetësi, arsim, ekonomi, politikë të jashtme.
2. Nuk mbeti pa skandale të mëdha, pavarësisht që ende nuk kanë përfunduar hetimet ndaj Martinit, Nagipit, Rozetës…
3. Në investime kapitale, infrastrukturë rrugore, i zvarriti projektet. Bëri investimet më të ulëta kapitale. Edhe ato që i kreu, i bëri keq, me asfalt të deformuar e të shkallmuar në formë të vargut. Vetëm shihni rrugën Gjilan-Ferizaj, përveç temperaturave të larta që e deformuan asfaltin nga mbingarkesat e kamionëve që lëviznin lirshëm pa ndonjë masë paraprake, nuk kishte mbikëqyrje e monitorim më rigoroz e profesional. Pra, edhe pak investime kapitale, edhe u zvarritën, edhe kur përfunduan disa prej tyre, u finalizuan si është më së keqi.
4. Përplasja me Vjosa Osmanin, i bën disa mbështetës të saj, të mos e shohin dyshen e dikurshme Osmani-Kurti, si shpresa për Kosovën. Osmani e dobëson Kurtin, pavarësisht jo edhe aq shumë sa kujtojmë.
5. Disa militantë nuk e kanë më entuziazmin si në dy mandatet e para dhe kjo ndikon në sjelljen elektorale dhe demobilizim. Disa militantë të Kurtit, janë të zemëruar që nuk arritën pozita, poste e favore, ndonëse shumë prej tyre edhe u favorizuan në punësim, emërime në borde, por jo të gjithë, sepse sa ka kërkesa, nuk ka vende, poste e pozita.
6. Konsumimi i çdo pushteti. Edhe Kurti është konsumuar, është provuar dhe ka shumë videoregjistrime në internet, që e bëjnë Kurtin të pabesueshëm, ose më pak të besueshëm, siç ishte në mandatin e parë e të dytë.
7. Opozitarët sado që nuk janë shndërruar ende në një alternativë serioze për ta mundur bindshëm Kurtin, kanë arritur të konsolidohen, të mobilizohen, sa për të mos e lënë hapësirën e lirë në tërësi për Kurtin.
8. Opozitarët kanë filluar të punojnë në mërgatë, pasi pas shpalljes së Pavarësisë më 2008, ishin ikur nga mërgata, për t’u kthyer në vitin 2024, e për ta mobilizuar elektoratin në mërgatë.
9. Inflacioni i skajshëm në Kosovë – ndonëse larg inflacionit në Turqi, ka vështirësuar shportën familjare. Jeta me çmime të larta në Kosovë, është bërë burim stresi dhe ankthi për shumë kryefamiljarë. Kushdo që shkon për të paguar në arkën e qendrave tregtare, apo të çdo artikulli e shërbimi, do të sikletohet. Inflacioni e rriti edhe Trampin në SHBA. Për buxhet 2025, u trazua edhe Korea e Jugut. Pra, inflacioni, pavarësisht që është global, ndikon në sjelljen elektorale. Nuk i intereson në fund të fundit, askujt, se nga erdhën çmimet e larta të artikujve e shërbimeve, çmimet e larta gërryejnë shpirtin e xhepin e çdokujt. Është zhvleftësuar tejmase vlera e parasë. Imagjino, edhe një trileqe nga 1 euro, te Kimi në Gjilan, kishte hipur në 1 euro e 80 centë. Një lëng portokalli që shkruan 100% natyral, e kam parë me sytë e mi, ka kërcyer edhe në 2 euro e 40 centë, më shtrenjtë se në Gjermani, e me paga kosovare. Kabllori e interneti, prej 10 eurove e 15 eurove, ka kaluar në 19.50 e 20 euro. Inflacioni, nuk është në anën e Kurtit, pavarësisht nga e ka origjinën.
10. Janë rritur disa zëra në hapësirën publike, që kanë fituar suksesshëm betejën me analistët që mbrojnë pushtetin e Kurtit, ndonëse disa prej tyre janë të pabesueshëm, dhe në rast se dikur e kritikonin Kurtin, ai vetëm rritet, ndërsa tash, ka disa zëra që kanë arritur të kenë audiencë të besueshme. Kjo do ta dobësojë Kurtin, sepse i ka dobësuar mbrojtësit e tij në studiot televizive. Edhe vetë disa mbrojtës të tij, po e kanë të vështirë ta mbrojnë më atë.
Kurti ende është në lojë, por loja e tij është duke u dobësuar nga të gjithë faktorët e lartpërmendur. Ende ka lojë, por përjashto disa ngjarje në Veriun e Kosovës, personalizimet në subvencione të Kurtit me pompa termike, energji, fatura, disa rritje të vogla që disa pensionerë i bëjnë për vete, ose efekti i shtesave për fëmijë që u bë për herë të parë nga Kurti, Kurti është në pozitë të vështirë. Ende është në lojë, por me shumë vështirësi. Krejt dhe drejt i dështoi.