Shkruan: Avni Rudaku
Në prag dhe në periudha zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme, disa qeveri kanë shpërndarë mjete financiare për të siguruar mbështetje elektorale. Në Filipine, presidenti Rodrigo Duterte shpërndau subvencione dhe grante për fermerët dhe shtresat e varfra. Në Indi, qeveria shpërndau ndihma financiare për të varfrit, përfshirë kredi për fermerët dhe pagesa direkte. Në Turqi, qeveria e Rexhep Erdoganit shpërndau pagesa shtesë për pensionistët dhe ndihma sociale për shtresa të caktuara. Në Bangladesh, qeveria shpërndau paketa ndihme financiare për të varfrit dhe fermerët. Në Ukrainë, para revolucionit të Mejdanit, qeveria shpërndau ndihma për pensionistët dhe subvencione për energjinë. Në Shqipëri, qeveria e Edi Ramës shpërndau ndihma për pensionistët, të papunët dhe familjet në nevojë. Po ashtu, në Meksikë, qeveria shpërndau bonuse për familjet e varfra. Të gjitha këto shpërndarje janë parë si përpjekje për të ndikuar votuesit në prag të zgjedhjeve.
100 euro janë pak, por nuk janë asgjë
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, jo më larg se 1 muaj e gjysëm, Qeveria e Albin Kurtit njoftoi për ndihmën e njëhershme në fundvit, për 100 euro shtesë për pensionistët dhe çdo fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Paratë do të alokohen në javën që vjen. Para se të lëshohemi në kritika të këtij vendimi në aspektin etik, dua të konstatoj se, i kritikoj edhe disa që thonë se 100 euro nuk janë asgjë. Nuk janë bash asgjë. Në fundin e vitit, ka tashmë një atmosferë festive. Me 100 euro, i gëzoni edhe pensionistët, edhe fëmijët. Në dhjetor, ka një dëshirë të fuqishme për të rritur konsumin, daljen për argëtim, shijimin e shtëpizave të vendosura dekorative në sheshet e Kosovës, për shpenzime në natën e vitit të ri për të bërë blerje në qendrat e mëdha tregtare. Ato para kryesisht shkojnë për konsum, veçmas pije dhe ushqime, pse jo edhe për blerjen e rrobave të reja. Në fundvit, përveç që mërgimtarët mbështesin familjarët e tyre – ndonëse jo si më parë, ndihma edhe nga Qeveria, qoftë edhe për një lëmoshë prej 100 eurosh, gëzon mijëra pensionistë e fëmijë. Me ato pak mjete financiare, krijohen disa çaste gëzimi dhe ato janë të dëshirueshme për të gjithë. Vlera e parasë ka rënë dukshëm pas inflacionit, por kur ato vijnë befas, sërish janë momente të ndryshimit pozitiv të mimikës njerëzore. Pra, 100 euro nuk janë asgjë, kanë vlerë, veçmas lehtësim momental, ndërsa për qendrat e mëdha tregtare, për ato, gjithmonë janë gëzim i veçantë dhe profit i lartë. Shumica e atyre parave të ndara nga Qeveria e Kosovës, do të shkojnë për biznesmenët më të fuqishëm në vend, ndonëse Kurti e konsideron veten socialdemokrat dhe ua shpërndan paratë edhe fëmijëve të familjeve shumë të pasura.
100 euro nuk janë të Albin Kurtit
Për shkak se Qeveria Kurti e ka mandatin për të menaxhuar me paratë publike, duhet ta stërpërsërisim, se ato nuk janë mjete financiare private të kryeministrit e as të ministrit të financave. Ato janë para të qytetarëve, që shpërndahen për kategori të veçanta, nga Qeveria e Kosovës. Qeveria vetëm i menaxhon, por nuk i ka në pronësi private.
Kritikat ndaj Albin Kurtit
Pse është imorale dhe jo aq demokratike, të shpërndahen mjete financiare në prag të zgjedhjeve parlamentare?
1. Tendenca për të krijuar qëndrime pozitive për Qeverinë Kurti.
2. Shtrembërimi i gjykimeve dhe kritikave ndaj Qeverisë Kurti.
3. Demokracia presupozon vullnetin e lirë, pa asnjë shtrëngesë për të votuar. Vetëm pak ditë pas marrjes së mbështetjes shtesë nga pensionistët e fëmijët, ndonëse kategoria e dytë nuk ka të drejtë vote, mund të ndikojnë te njëri-tjetri, për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje.
4. Dhurimi financiar si këmbim psikologjik i votës.
5. Keqpërdorimi i buxhetit të shtetit të veprohet në interes direkt të partisë për zgjedhjet, në vend se të ketë politika të menduara mirë për zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për pensionistët e fëmijët.
6. Të përkrahësh financiarisht fëmijët, veçmas nën 16 vjeç, do të thotë të ndikosh te vetë prindërit, e veçmas në kategorinë e grave, nënave, pasi ato shpesh mbajnë xhirollogaritë e fëmijëve të tyre. Shumë fëmijë të vegjël nuk i marrin direkt ato mjete financiare, duke ndikuar në bindjet elektorale të vetë prindërve që marrin ato shtesa financiare në fundvit.
7. Është imorale të përfitosh elektoralisht në këtë kohë përmes shfrytëzimit të pushtetit, duke krijuar përfitim politik të padrejtë.
8. Shtesat e tilla krijojnë marrëdhënie të padrejtë politikanë-qytetarë-votues.
9. E pamoralshme të krijosh vështirësi të tilla për rivalët politikë në zgjedhjet e ardhshme.
10. Dëmtohet indirekt ndershmëria e zgjedhjeve demokratike.
11. Vazhdon krijimi i kulturës klienteliste.
12. Krijimi i ndjenjës së detyrimit moral për të votuar dikë që të ka dhënë mjete financiare.
13. Politikat e tilla janë kundërproduktive për zhvillim të qëndrueshëm të mirëqenies socio-ekonomike.
14. Rritja e përçarjes dhe tensioneve zgjedhore.
Albini si opozitar, ka kritikuar politika të tilla
Nuk ka politikan që ka qenë më i zëshëm e më kritik ndaj politikave të tilla në prag të fushatës zgjedhore, sesa Albin Kurti, sa ishte në opozitë. Të gjitha ato që i ka kritikuar te rivalët e tij të dikurshëm politikë, i ka bërë vetë, sapo ka ardhur në pushtet.
Në vend të 100 eurove, rritja solide e pagës
Në vend të 100 eurove për pensionistë e fëmijë, alternativa më e mirë është rritja solide e pagave për pensionistët dhe shtesave për fëmijë, varësisht nga mundësitë buxhetore ekzistuese. Jam edhe kundër premtimeve të disa partive opozitare, të cilat shtyhen me njëri-tjetrin në përqindje të rritjes së pagave, pa treguar se ku dhe si do të merren ato mjete financiare nga një buxhet i varfër i Kosovës, pavarësisht rritjes së buxhetit për çdo vit.