Është tepër me rëndësi që së paku disa prej nesh të provojmë të mendojmë me kokën tonë, duke mos rënë prè e eksperimenteve dhe manipulimeve të mendjeve. Një operacion i tillë është duke vazhduar.
Berat Buzhala
Në këto 20 vjet nuk është bërë asgjë në Kosovë.
-Kurrë më keq nuk ka qenë në vendin tonë.
Këto janë disa prej fjalive më të pavërteta që i keni dëgjuar kohëve të fundit dhe që do t’i dëgjoni me intensitet të shtuar në katër javët e ardhshme.
Mbjellja e farës së mosbesimit, sulmi ndaj institucioneve duke i konsideruar të dëmshme, insistimi me ngulm që në vendin tonë nuk është bërë asgjë, madje edhe nëse është bërë diçka, ajo është bërë keq, ndarja e shoqërisë në të mirë dhe në të këqij, ndarja në NE dhe ATA, janë, si të themi, disa prej pikave më efikase të manualit për manipulime në shkallë të gjerë.
Për të funksionuar kjo propagandë, është e domosdoshme që së paku disa prej pikave të jenë të vërteta. Asnjë propagandë nuk është mjaftueshëm efikase, nëse brenda saj ka vetëm gënjeshtra.
Propaganda ka sukses vetëm atëherë kur bëhet manifakturim i së vërtetës ose fabrikim i së vërtetës përmes gënjeshtrës. Që teknika të jetë e suksesshme, kjo gjë duhet të përseritet pa u lodhur, posaçërisht duke u fokusuar vetëm në disa elemente të së vërtetës. Pjesë përbërëse e kësaj formule janë edhe sulmet e quajtura “ad hominem” ose sulmet personale. Kushdo që guxon ta kontestojë autoritetin e caktuar, në rastin tonë, z. Kurti, kontestohet ai dhe jo ato çfarë ai thotë. Bie fjala, kur një person i caktuar thotë se Kurti ka prirje autoritare ose që brenda LV’së ka persona me afera korruptive, atëherë fillon kontestimi i personit që provon ta bëjë argumentimin e nuk kontestohen argumentet e tij.
Ndoshta, fare në fund, por sigurisht kapitulli më i rëndësishëm në këtë manual të propagandës, është krijimi i të ashtuquajturit efekt “bandwagon”.
Çfarë është ky efekt?
Manipuluesit e mendjeve investojnë shumë në krijimin e opinionit të fitores së pashmangshme. Në këtë mënyrë influencohet gjykimi i njerëzve për një ngjarje të caktuar. Shumë njerëz fillojnë të veshin rroba të caktuara, duke i parë të tjerët që po e bëjnë të njëjtën gjë. Shumë të tjerë bëhen pjesë e një rrjeti të caktuar social pasi ai rrjet po rritet më shpejt se të tjerët. Pastaj, ne të gjithë kemi parë postime shumë të mira në Facebook që marrin shumë pak “like” dhe “share”, kurse disa të tjera, që janë shumë më të thata dhe me më pak përmbajtje, që marrin shumë më shumë “like” dhe “share”. Njerëzit kanë prirje që ta pëlqejnë atë që e pëlqejnë të gjithë ose që ata mendojnë që po pëlqehet më shumë.
Këto praktika interesante të manipulimit të mendjeve përmes krijimit të opinionit “se të gjithë po bëjnë kështu” janë eksploatuar në mënyrë të suksesshme nga partitë politike, posaçërisht nga ato populiste. Këto subjekte politike, edhe kur në zgjedhje arrijnë t’i marrin vetëm 10 për qind ose më pak, këmbëngulin duke thënë se “e gjithë rinia është me ne”, edhe atëherë kur nuk është, por kur ndoshta vërehet një trend, ose “të gjithë intelektualët janë me ne”, edhe atëherë kur nuk janë, por kur vërehet një trend, ose “shumica e popullatës është me ne”, edhe atëherë kur nuk është, por kur vërehet një trend. Pra, është në natyrën njerëzore që të kërcëhet në vagon, nëse ekziston bindja që tashmë të gjithë po hipin në të. Shumica e njerëzve më me dëshirë dëshirojnë të bëhen pjesë e grupit, edhe nëse e dinë me siguri që grupi e ka gabim, sesa të mbesin pjesë e pakicës, edhe nëse e dinë që pakica ka të drejtë. Është shumë e vështirë të rezistosh e të mos bëhesh pjesë e ekipit që fiton. Vetmia mund të jetë e frikshme. Turma të jep siguri, mundësisht nëse je diku në mes të saj. Të mos ekspozohesh, por të ndihesh i mbrojtur.
Aktualisht, në vendin tonë jemi duke përjetuar një situatë të tillë, përmes propagandës që një subjekt politik do t’i fitojë 51 për qind të votave. Është jologjike të mendohet se, brenda një viti, një parti do të rritet 100 për qind. Askush nuk mund të pretendojë që për një kohë kaq të shkurtër ka arritur të bindë kaq shumë njerëz se ata e kanë mirë, kurse të tjerët e kanë keq. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes efektit të “51 përqindëshit”, të kombinuar me frikën. Në një moment të dobësisë, Shën Pjetri e ka mohuar Jezu Krishtin. Tri herë ka thënë që nuk e njeh. Deri te ky moment kishte ardhur kur apostulli kryesor i Krishtit ishte ndier i vetmuar. Bota përreth tij ishte përmbysur, prandaj ai e kishte pasur shumë më të lehtë që ta mohonte përkatësinë e tij, së paku përkohësisht. Ne çdo ditë po takojmë njerëz agresivë, i lexojmë dhe i dëgjojmë ata, duke klithur, duke kërcënuar, duke bërë presion psikik, se si tashmë shumica është në anën e tyre, kurse ata që do të mbesin në pakicë do t’i pret një dimër i ftohtë dhe me plot të panjohura. Në këto rrethana, një përqindje e njerëzve nuk do ta konsideronte gjë të jashtëzakonshme sikur t’i nënshtrohej trendit.
“Krejt kanë me e votu Albinin”.
Pastaj, kjo gjë do të ishte e pamundur që të ndodhte pa ndihmën e vuvuzelave nëpër studio televizive dhe rrjete sociale. Me pak përjashtime, ndoshta krejtësisht margjinale, Kosova po ngjason me një “echo chamber”, ku zërat përsëriten, ku dëgjohet e njëjta propagandë, të njëjtat gjysëm të vërteta, ku idetë alternative zhduken. Rryma është aq e fortë, saqë merr çdo gjë që i del para vetes. Pak a shumë, sikur përmbytjet e ditëve të fundit. Në anën tjetër, do të mjaftonte vetëm një reflektim personal, i pandikuar nga zhurma dhe propaganda, për t’u bindur që realiteti politik dhe social në Kosovë nuk është i errët në përmasat që po propagandohet. Vendi ynë vazhdon të jetë vend demokratik, ku ka zgjedhje të lira dhe ka liri të shprehjes. A është kjo sikur në Finlandë? Jo, as për së afërmi. A është më mirë sesa në shumicën e vendeve të rajonit? Absolutisht që është. Nuk është mirë që demokracinë dhe lirinë t’i marrim si të mirëqena. Kjo nuk është e garantuar. Të gjithë ne, që i kemi më shumë se 40 vjet, jemi dëshmitarë të kësaj.
Baraspesha mes demokracisë dhe ekonomisë është mjaft e ndërlikuar. Të zgjedhësh të jetosh në një shtet demokratik a në një shtet ekonomikisht të zhvilluar është gjë e vështirë. Për një familje pa kulm mbi kokë, për një të sëmurë që nuk ka ku të shtrihet në spital, liria e shprehjes dhe zgjedhjet e lira nuk kanë kurrfarë kuptimi, posaçërisht kur fqinji i tyre jeton në shtëpi prej 1000 metrash katrorë dhe që vozit Range Rover. Atyre mund t’u apelosh vetëm duke u garantuar barazi, qoftë edhe në varfëri. Këto janë situata politike të njohura, mirëpo jeta reale nuk është kaq e thjeshtë. Bota është e mbushur me diktatorë dhe autokratë që kanë ardhur në pushtet përmes premtimeve për barazi dhe hakmarrje, e që në fund është realizuar vetëm pjesa e dyta e premtimit. Nuk po them që kjo edhe do të ndodhë në vendin tonë. Kjo është situatë hipotetike, por që realisht ne sot mund t’i shohim disa simptoma, të cilat, nëse kalojnë të patrajtuara, ka mundësi që të shndërrohen në diçka serioze. Sido që të jetë, është tepër me rëndësi që së paku disa prej nesh të provojmë të mendojmë me kokën tonë, duke mos rënë prè e eksperimenteve dhe manipulimeve të mendjeve. Një operacion i tillë është duke vazhduar.