Viti që po hyjmë ka peshë historike për popullin e Kosovës. Një pyetje themelore shtrohet para nesh: A do ta lejojmë “Kalin e Trojës” t’i hapë portat për armiqtë tanë shekullorë, apo do ta ndalim këtë të keqe dhe do të përshpejtojmë rrugën drejt një demokracie të mirëfilltë dhe të qëndrueshme për popullin tonë? Për katër vite me radhë, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka demonstruar se prioritetet e saj nuk përputhen me interesat e shtetit të Kosovës.
Rruga e gjatë drejt pushtetit e kësaj lëvizjeje, për gati dy dekada, përdori sulme nga më të ndryshmet, që nga propaganda deri te metodat radikale, duke përfshirë edhe sulme fizike ndaj institucioneve të shtetit. Këto sjellje jodemokratike janë dëshmi e qartë se ky projekt politik ka për qëllim dobësimin e themeleve të shtetit tonë.
Me futjen e tyre në institucione, përmes një strategjie të mirë menduar propagande, të ndihmuar nga qarqe të huaja me interesa të errëta, “Kali i Trojës” tashmë po godet shtetin nga brenda. Katër vite të udhëheqjes së kësaj qeverie na kanë treguar një përkeqësim të dukshëm në çdo fushë të jetës: ekonomi, drejtësi, diplomaci dhe, mbi të gjitha, në themelin demokratik të vendit. Kosova, një shtet i krijuar me shumë sakrifica, sot gjendet në një rrezik të madh nga një udhëheqje që duket më e interesuar për pushtet personal dhe destabilizim sesa për të ardhmen e shtetit. Nuk duhet harruar se kjo qeveri ka përdorur çdo mjet të mundshëm për të përçarë dhe dëmtuar sistemin shtetëror, shpesh duke u mbështetur në taktika që i përkasin një mentaliteti autoritar.
Është e qartë se, në vend që të punojë për forcimin e institucioneve, ajo i ka përdorur ato për interesa të ngushta dhe ka hequr dorë nga partneritetet e rëndësishme me aleatët ndërkombëtarë, duke çuar në izolim të mëtejshëm të Kosovës. Një komb që harron historinë e tij është i dënuar ta përsërisë atë. Ashtu si në kohën e luftës, kur na u desh të ngriheshim kundër një armiku shekullor, sot kemi detyrën të mbrojmë demokracinë dhe sovranitetin tonë.
Është koha që të zgjohemi nga iluzioni i propagandës dhe të shohim të vërtetën: qëllimi i kësaj lëvizjeje nuk është forcimi i Kosovës, por dobësimi i saj. 9 shkurti është një moment historik dhe vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Është dita kur populli i Kosovës duhet të zgjedhë mes rrugës së sigurt dhe rrugës së rrezikut.
Është koha për t’u kthyer te forcat politike tradicionale, ato që kanë udhëhequr popullin tonë në kohët më sfiduese dhe që kanë ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës. Partitë që ishin në vijën e parë të luftës dhe të lirisë janë sot alternativa e vetme për të shpëtuar vendin nga kjo krizë. Filozofi Edmund Burke ka thënë: “E keqja triumfon vetëm kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë.” Andaj, është koha për të vepruar.
Duke votuar për partitë tradicionale si PDK, ne nuk po votojmë vetëm për një qeveri të re, por për një të ardhme të sigurt dhe për mbrojtjen e shtetit tonë nga ata që synojnë ta shkatërrojnë nga brenda.
Të dashur qytetarë të Kosovës, 9 shkurti është dita kur mund të ndryshojmë rrjedhën e historisë. Të mos lejojmë që “Kali i Trojës” të hapë portat për ata që duan të na shohin të dobët dhe të ndarë. Është koha të votojmë për Kosovën, për lirinë dhe për demokracinë.