Dy ditë më parë, më 12 prill 2023 ka humbur jetën në autostradë, afër qytetit Winterthur Jetmir Morina, 30 vjeçar. Ai është gpditur nga një makinë derisa po përpiqej të ndihmonte personat që kishin pësuar në një aksident tjetër, që sapo kishte ndodhur.
Shokët e tij të gjeneratës, me të cilët ai kishte mbaruar studimet për stomatologji, kanë shkruar një përkujtim të dhembshëm për Jetmirin, të cilin e kanë dërguar për botim në albinfo.ch.
“Të shkruash për mikun e humbur qenka shumë e vështirë. Të githa shoqërie kanë liderin e tyre shpirtëror, Jetmiri ishte guida jonë shpirterore dhe profesionale. Ai ishte i begatuar me edukatë dhe ndërgjegje të lartë morale. Pasioni i tij për shkencat mjekësore lindi si dëshire për dashurinë ndaj njerëzimit.
Kjo botë sikur ishte tepër e vogël për shpirtin e tij të madh kurse ai na lë pas shijen e ëmbël të një njeriu të jashtëzakonshëm. Buzëqeshja e tij rrezatonte mirësi që mund të ngrohte edhe zemrat më të akullta, për të vazhduar pastaj me vlerat e tjera maratonike që ai kishte.
Maturia dhe qetesia që ai posedonte ishte siguri për secilin nga ne. Ai do të mbetet simboli i krenarisë për familjen dhe shoqërinë e tij dhe tërë Topanicën, vendlindjen e tij qe ai aq shumë e donte.
Përherë do ta kujtojmë, ai do të jetojë me ne nëpërmjet kujtimeve të shumta qe na i la. I përjetshëm kujtimi për ty, Miku yne, u prehtë në paqe shpirti yt i bardhë!”, përfundon përkujtimi i nënshkruar nga: Mërgim Kryeziu, Ergys Shabani, Herolind Palushi, Jusuf Dobra, Fatjon Tahiraj, Bunjamin Ibrahimi, Enes Qazimi dhe Veton Abazi.