Shoqata “Çamëria” ka organizuar një “Marsh për Bashkim” të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovë në Prishtinë.
Në këtë marsh po marrin pjesë edhe disa nga figurat e Luginës ku me këtë rast mbajtën fjalime para pjesëmarrësve duke treguar rëndësinë dhe dëshirën e tyre për t’u bashkuar me Kosovën, njofton Klan Kosova.
Përfaqësuesi i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka ftuar spektrin politik të Kosovës që ta mbështesin bashkimin me Kosovën.
“Zonja Merkel afrohet pranë një copë muri të Gjermanisë dhe thotë që ëndrra u bë realitet, kështu kërkojmë edhe ne, që Kosova Lindore mos të quhet Kosovë Lindore por lindje e Kosovë. Thuani po kësaj iniciative. Sepse Lugina ka një porosi për Kosovën, Kosovë të duam kështu si je, por të duam më shumë së bashku me ne”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjës së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, ka thënë se është koha që në mënyrë diplomatike mund ta bashkojnë Luginën me Kosovën.
“Nga këtu bëj thirrje që zëri juaj dhe zëri jonë të ngritet sepse është momenti që Kosova t’i bashkohet Kosovës Lindore, këto treva janë larë me gjak sepse nuk ka rrugë tjetër që ne të bashkohemi. Sot ne në mënyrë diplomatike mund ta bashkojmë Kosovën”, ka thënë Musliu.
Mërgaten nga Zvicra në këtë marsh e përfaqësoi Fadil Selmani, i cili tha se mërgata i përkrah të gjitha proceset për bashkimin e Kosovës me Luginën.
Ai përshendeti edhe inciativën e presidentit, Hashim Thaçit që kjo pjesë t’i kthehet Kosovës.
“Nga mërgimi e kam një porosi të qartë për politikanet, ju duam të bashkuar, ju jeni vellezerit tonë”, tha ai.