Rikthimi i TVSH-së në 18% do t’ia kthejë 2020-tën Gastronomisë
Skadimi i TVSH-së nga 8% për sektorin e gastronomisë më 31 Dhjetor 2021, dhe mos-vazhdimi i saj edhe për vitin tjetër në kushte pandemike, e rrezikon jashtëzakonisht shumë gjendjen ekonomike të industrisë tonë.
Në konferencën e sontme të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, u tha që është më mirë të kthehet TVSH-ja në 18% sepse kjo nënkupton që do të ketë trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë, sepse atëherë kur të gjithë paguajnë barabartë dhe fusha e lojës është e barabartë, atëherë konkurrenca është më e mirë dhe ecin përpara ata që janë më të zotë.
Si mund të ketë trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik kur ka kufizim më të madhë të funksionimit të gastronomisë në raport me industritë tjera?
Si mund të ketë Ringjallje Ekonomike, kur gjendja me pandeminë do të vazhdojë dhe masat e Ministrisë së Shëndetësisë do të vazhdojnë të kërcënojnë funksionimin normal të gastronomisë?
Si mund të ketë Ringjallje Ekonomike, kur i kthehet gastronomisë TVSH-ja në 18% përderisa masat vazhdojnë edhe më tutje më së shumti ndaj këtij sektori?
Si mund të ketë Ringjallje Ekonomike, kur vendimet të cilat i keni marrë për përkrahje financiare ndaj bizneseve të mbyllura nuk jeni duke i zbatuar?
Si mund të ketë Ringjallje Ekonomike tek ne, kur i injorojmë shembujt si të Gjermanisë e cila përpos kompenzimit të fitimit të humbur ndaj bizneseve të gastronomisë, ajo nga 1 Korriku deri më 31 Dhjetor të 2020-tës, taksën standarde e kishte reduktuar nga 19% në 16%, dhe taksën e reduktuar nga 7% në 5%. Gjermania taksën apo TVSH-në e reduktuar prej 7% e ka zyrtarizuar deri më 31 Dhjetor 2022 për gastronomi, dhe një shembull të tillë po e ndjekin edhe plot vende tjera të BE-së e më tej.
Mos vallë Gjermania dhe plot vende të tjera me vazhdimin e reduktimit të TVSH-së për gastronomi po mendojnë që po i trajtojnë pabarabartë operatorët ekonomikë në kohë pandemike?
Me datë 24 Shtator të këtij viti jemi marrë vesh dhe na keni premtuar që do të shqyrtojmë vazhdimin e TVSH-së edhe për vitin tjetër dhe do të takohemi prap, dhe ju përveç se na keni gënjyer, përgjigjet po na i jepni përmes konferencave mediatike!
Kjo ministri, jo që nuk po na ndihmon, po e njëjta po dëshiron fundosjen e këtij sektori!
Jeni duke i fundosë bizneset të cilat sapo filluan të këndellen, dhe jeni duke i shkatërruar ato që gjithmonë dhanë kontribut ndaj këtij vendi!
Edhe njëherë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, me shpresën që të menaxhojë me pandeminë dhe me gjendjen ekonomike si trung e jo si degë të veçanta. Prandaj, kërkojmë takim urgjent me kryeministrin e vendit, e jo me vartësit e tij, sepse këta të fundit po e shohin pandeminë nga një perspektivë dhe po i injorojnë vështirësitë e tjera që po na kanosen përditë!