Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ia ka rikujtuar edhe njëherë kërkesat e tyre Qeverisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, kjo shoqatë ka shkruar se presin nesër vendimin e Qeverisë për lejimin e punës së bizneseve që tashmë e kanë të ndaluar shkaku i COVID-19.
“Presim vendimin tuaj nesër dhe ju tregojmë vendimin tonë me 14 nëntor”, thuhet në këtë postim, duke shtuar se nuk ka arsye për këto ndalesa meqë sipas tyre, rastet e infektimeve me COVID-19 po vazhdojnë të bien.
“Ose i hapni bizneset që nuk po lejohen të punojnë (klubet e natës dhe sallat e dasmave) në pajtueshmëri me protokollet shëndetësore të bazuara në teknologji duke i lejuar vetëm të vaksinuarit dhe të pajisurit me dëshmi të futen brenda, ose të miratoni masa financiare për t’i ndihmuar këto biznese të cilat fare nuk po punojnë”, shkruan në postim.
Ata përmend edhe njëherë kërkesat që kanë për Qeverinë.
“Bizneseve të gastronomisë të ju zgjatet orari i muzikës në përputhje me atë të punës; Të rritet kapaciteti i punës në hapësira të brendshme në shërbimet e HORECA-s; Të hiqet ora policore, ose të mos ketë për personat e vaksinuar dhe ata që kanë dëshmi; Të punojmë me strategji dhe eksperiencën me pandemi e kemi tash e 609 ditë, ndërsa punën që po e shohim në këtë drejtim po lë shumë për të dëshiruar”, kërkon kjo shoqatë.