Shoqata e të Burgosurve Politikë – Dega në Gjilan, përmes një komunikate për opinion, ka nderuar jetën dhe veprën e Halil Malajt, njërit prej figurave të shquara të qëndresës dhe atdhedashurisë shqiptare.
Në këtë komunikatë, theksohet sakrifica e tij dhe e familjes Malaj në shërbim të çështjes kombëtare, duke e cilësuar Halil Malajn simbol të rezistencës dhe frymëzim për gjeneratat e reja.
Shumë e nderuara familje Malaj
Përfaqsues te institucioneve
Të nderuar të burgosur politikë,përfaquses të organizatave të UCK-së
-Bashkëveprimtarë të Bacës Halil
Halil Malaj ishte dhe mbetet një ndër figurat e shquara të qëndresës dhe atdhedashurisë shqiptare. Ai i takon brezit të atdhetarëve të viteve ’70, të cilët me guxim dhe vendosmëri sfiduan pushtuesin dhe sistemin shtypës, duke u bërë zëri i lirisë dhe i aspiratave të popullit shqiptar për pavarësi dhe bashkim.
Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare u dëshmua në shumë forma: si veprimtar politik, organizator i demonstratave në mërgatën shqiptare në perëndim, si furnizues i palodhur me materiale ilegale, dhe si njeri që sakrifikoi çdo gjë personale për të mirën e kombit.
Sakrifica e familjes Malaj është një dëshmi e gjallë e rezistencës shqiptare. Katër prej fëmijëve të tij u burgosën politikisht, tre të tjerë u përndoqën, ndërsa bashkëshortja e tij vazhdimisht ishte e përndjekur, duke mbajtur barrën e rëndë të sakrificës familjare.
Halil Malaj ishte jo vetëm një atdhetar i madh, por edhe një burrë i urtë, vizionar dhe frymëzues për shumë gjenerata. Ai përfaqësonte shembullin e njeriut që e donte atdheun më shumë se veten, duke mos u ndalur përballë burgosjes, përndjekjes, dhunës apo pengesave të rënda që ia vuri jeta.
Krejt angazhimi i tij jetësor ishte në shërbim të atdheut, pa pyetur për pasojat por duke e synuar lirinë kurrë pa u ndalë.
Pa Halilin dhe bashkëveprimtarët e ilegalës, nuk do të ndodhte as lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës të cilës i shërbyen me devotshmëri familja dhe rrethi i tij deri në çlirimin e atdheut.
Trashëgimia e tij mbetet e pavdekshme. Emri i Halil Malajt do të kujtohet gjithmonë si simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i dashurisë së pashuar për Kosovën dhe kombin shqiptar.
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Halil Males.
SHOQATA E TE BURGOSURVE POLITIKË
-Dega Gjilan
Selajdin Abdullahu 25.09.2025