Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme edhe zyrtarisht pas takimit me kryetarët e Komunave të Kosovës, shkruan Metro.
Hoti i ka informuar kryetarët e Komunave të Kosovës se me këtë trend të rritjeve të rasteve me koronavirus, janë të detyruar ta shpallin Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë.
“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti ndër tjerash.
Hoti ka thënë se Gjendja e Jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.
Inspektorët komunal do të kenë detyra shtesë në monitorimin e bizneseve se a po mirëmbajnë rregullat për parandalimin e COVID-19, po ashtu puna nuk do të ndalet vetëm se masat do respektohen në përpikëri nga çdo qytetarë.
“Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar Hoti.
Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtria e Kosovës dhe Policia e Kosovës do të kenë autoritet të plotë në zbatimin e ligjeve dhe rekomandimeve që do të jepen nga Qeveria si masë parandaluese ndaj COVID-19.
Kujtojmë se edhe më herët Presidenti Thaçi pati rekomanduar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, por kjo kategorikisht u kundërshtuar nga Qeveria Kurti, i cili pastaj u rrëzua nga pushteti.