Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2024.
Raportet përfshijnë shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera.
KQZ ka sqaruar se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, të njëjtat mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të audimit.
Këto janë shpenzimet për vitin 2024 të partive më të mëdha politike në vend:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në vitin 2024 pati të hyra në vlerë prej 2 milionë e 337 mijë e 168 euro.
Këto të hyra përfshijnë: 2 milionë e 258 mijë e 701 euro të hyrat nga buxheti, 493 euro të hyrat nga anëtarësia, 19 mijë e 287 euro donacionet dhe kontributet në të holla, 209 euro kontributet në natyrë në mall dhe shërbime, 53 mijë e 480 euro të hyrat e liruara nga të hyrat e shtyera dhe 4 mijë e 996 të hyrat e tjera.
Shpenzimet e LVV-së për vitin 2024 ishin 1 milion e 805 mijë e 296 euro, me suficit (+) ose deficit (-) prej 531 mijë e 872 euro.
Këto para u shpenzuan në: paga dhe kompensime 816 mijë e 363 euro, shpenzimet e transportit 135 mijë e 897 euro, reklamat, reprezentacioni dhe konferencat 318 mijë e 769 euro, shpenzimet e fushatës 163 mijë e 203 euro, blerja e mallrave 25 mijë e 036 euro, shpenzimet e përgjithshme 316 mijë e 858 euro dhe shpenzimet e ndryshme 29 mijë e 168 euro.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjatë vitit 2024 pati të hyra në vlerë prej 1 milion e 034 mijë e 134 euro.
Këto të hyra janë nga: të hyrat nga buxheti 756 mijë e 209 euro, kontributet në natyrë në mall dhe shërbime 29 mijë e 364 euro, të hyrat e fushatës 49 mijë e 420 euro, të hyrat e liruara nga të hyrat e shtyera 2 mijë e 300 euro dhe të hyrat tjera 196 mijë e 840 euro.
Ndërkaq shpenzimet e PDK-së për vitin 2024 kapin vlerën e 938 mijë e 548 euro, me suficit (+) dhe deficit (-) prej 95 mijë e 586 euro.
Për këto shpenzime, 598 mijë e 693 euro janë shpenzuar në paga dhe kompensime, 27 mijë e 190 euro në shpenzimet e transportit, 109 mijë e 086 euro në reklama, reperezentacion dhe konferenca, 59 mijë e 110 euro në fushatë, 3 mijë e 617 euro në blerje të mallrave, 99 mijë e 787 euro janë shpenzimet e përgjithshme dhe 41 mijë e 062 euro shpenzimet e ndryshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjatë vitit 2024 pati gjithsejtë të hyra në vlerë prej 643 mijë e 047 euro.
Këto të hyra përfshijnë: 600 mijë euro të hyra nga buxheti, 3 mijë e 745 euro donacionet dhe kontributet në të holla, 4 mijë euro kontributet në natyrë në mall dhe shërbime, 25 mijë e 980 euro të hyrat e fushatës dhe 9 mijë e 322 të hyrat e liruara nga të hyrat e shtyera.
Ndërkaq 594 mijë e 398 euro janë shpenzuar nga LDK-ja në vitin 2024, ku suficiti (+) ose deficiti (-) vlerësohet të jetë 48 mijë e 648 euro.
Vlera e këtyre shpenzimeve është e ndarë në: 351 mijë e 511 euro pagat dhe kompensimet, 23 mijë e 332 euro shpenzimet e transportit, 66 mijë e 949 euro në reklama, reprezentacion e konferenca, 50 mijë e 597 euro shpenzime të fushatës, 10 mijë e 463 euro blerje e mallrave, 91 mijë e 254 euro shpenzimet e përgjithshme dhe 289 euro shpenzimet e ndryshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjatë 2024-ës gjithsejtë të hyra kishte në vlerë 325 mijë e 058 euro.
Këto të hyra përfshijnë: 320 mijë euro të hyrat nga buxheti dhe 5 mijë e 058 euro donacionet dhe kontributet në të holla.
AAK gjatë vitit 2024 shpenzoi 907 mijë e 796 euro me suficit ose deficit prej 582 mijë e 738 euro.
Këto para u shpenzuan në: pagat dhe shpenzimet 221 mijë e 824 euro, shpenzimet e transportit 3 mijë e 215 euro, reklamat, reprezentacioni dhe konferencat 22 mijë e 294 euro, shpenzimet e fushatës 4 mijë e 302 euro, blerja e mallrave 7 mijë e 446 euro, shpenzimet e përgjithshme 61 mijë e 736 euro dhe shpenzimet e ndryshme 586 mijë e 976 euro.