Shpëtim Duro flet në Supersport për herë të parë si trajneri i Dritës së Gjilanit. Në intervistën e tij ish-trajneri i Flamurtarit shpjegoi se u mendua për pak kohë përpara se të vendoste për të marrë drejtimin e kampionëve në fuqi të Kosovës.
“Nuk vendosa menjëherë për të ardhur në Kosovë. Drita ka bërë një sezon të shkëlqyer, duke u shpallur kampione e Kosovës, por ka qenë një nisje e keqe e sezonit. Janë kriza, që u ndodhin skuadrave. Nuk është një situatë pozitive, por kontigjenti është po ai që u shpall kampion. Ngarkesa ka qenë e madhe, pasi skuadra ka qenë në aktivitet gjatë verës”, ka thënë ai.
Trajneri kryeqytetas shpjegoi edhe arsyet që e shtynë për ta vazhduar karrierën në futbollin kosovar.
“Pranova, sepse është respekt të marr ekipin kampion, por është edhe përgjegjësi. Kam pasur në skuadrat e mia në Shqipëri shumë lojtarë nga Kosova. Gjithmonë kam pasur respekt, sepse janë profesionistë. E kam ndjekur kampionatin kosovar prej dy-tre vitesh. Kam respekt për të gjithë, edhe trajnerët, sepse kanë punuar në kushte shumë të vështira, pa ndonjë motivim, sepse Kosova nuk ka qenë në arenën ndërkombëtare”, thotë ai.
Drita vjen pas 4 humbjesh radhazi dhe e ka nisur shumë keq kampionatin por Duro ka besim se skuadra do të reagojë.
“Ne kemi pasur avantazhin që kemi qenë të hapur dhe kemi eksperiencë të madhe. Janë katër humbje dhe duhet të kalojmë këtë situatë, është krijuar një distancë me ekipet e tjera. Skuadra e Dritës ka marrë shumë gola dhe duhet të punojmë në këtë aspekt. Kundërshtari i radhës, Prishtina, ka një skuadër cilësore. Kur luhet deri minimizohen diferencat dhe dy ndeshjet e radhës janë të rëndësishme për ne”, shprehet Duro