Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini thërret për kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve, në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ajo thotë se secili nga ne duhet t’i respektojë udhëzimet e institucioneve përkatëse dhe duke qëndruar në shtëpi, mbrojmë veten, familjet tona dhe me këtë edhe të tjerët.
“Fatkeqësisht, siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë, numri i të prekurve me COVID19 ka arritur në 61. Duke ditur se si ka evoluar kjo pandemi aty ku ka prekur, në asnjë mënyrë nuk duhet të sillemi me komoditetin që e kemi pas deri më tani mes nesh, që në një formë apo tjetrën ka ngjarë në injorim ndaj saj. Mos të lejojmë COVID – 19-të na tregojë dhëmbët më vrazhdë e më pamëshirshëm”, ka thënë ajo, transmeton Portali 2LONLINE.com
Kryesuesja Shpresa Kurteshi – Emini thotë tutje se qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, përveç në raste kur kanë urgjencat e tyre, dhe se duke qëndruar dhe respektuar udhëzimet që po jepen nga institucionet përkatëse përgjegjëse për një situatë të tillë në të cilën jemi, bëhen kontribuues të gjithë në luftën e përbashkët kundër parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të koronavirusit.
“Rrini në shtëpi, duajeni familjen tuaj”, përfundon thirrja e kryesueses së Kuvendit komunal të Gjilanit, Shpresë Kurteshi – Emini, drejtuar qytetarëve pa dallim.