Kosova aktualisht po kalon nëpër një fazë të vështirë në përballjen me pandeminë e koronavirusit.
Deri sot, në vendin tonë janë konfirmuar 6 mijë e 917 raste me COVID-19, teksa 2 mijë e 995 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive.
Se situata po vazhdon të jetë tejet alarmante e dëshmojnë edhe shifrat e kësaj jave.
Vetëm nga e hëna e deri sot, në Kosovë kanë vdekur hiç më pak se 30 persona me COVID-19.
Dita e hënë e 20 korrikut në Kosovë shënonte 139 viktima nga COVID-19, teksa sot ky numër ka shkuar në 169.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në lidhje me situatën e krijuar ka kritikuar ashpër Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin që sipas tij kanë treguar neglizhencë në menaxhimin e pandemisë dhe zbatimin e masave të vendosura nga qeveria.
Po ashtu, në Kosovë që nga fillimi i pandemisë janë infektuar me koronavirus edhe gjithësej 756 profesionistë shëndetësor, gjë që e vështirëson luftimin e këtij virusi, shkruan lajmi.net.
Ndërkaq, në dispozicion aktualisht për pacientë janë 700 shtretër, 570 prej të cilëve janë të zënë me pacientë të hospitalizuar.