Nëse ka një vend që nuk pushon kurrë së më surprizuari është Shqipëria.
Ky shtet i vogël ballkanik prej disa kohësh ka hyrë në listën e destinacioneve më të njohura për t’u vizituar nga turistët më aventurierë për shumë arsye: është i lehtë për t’u arritur, është ekonomik, hahet mirë, njerëzit janë mikpritës dhe vendet për t’u parë shumë të bukur.
Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”
Përveç destinacioneve të famshme, siç është bregdeti jugor, kryeqyteti dhe qytetet e UNESKO-s, Shqipëria ruan thesare autentike që meritojnë të përfshihen në itinerarin e udhëtimit. Këtu janë dhjetë arsyet pse ia vlen të ikni në Shqipëri (menjëherë).
Riviera shqiptare
Arsyeja e parë për të vizituar Shqipërinë është padyshim Riviera shqiptare. Ky është dhe mbetet vendi im i preferuar për të kaluar pushimet verore në Europë. Jo vetëm ujërat e kristalta, plazhet me rërë të butë apo gurë të bardhë, ushqim i shkëlqyer, fshatra magjepsës, por edhe pamje që të lënë pa frymë, manastire të lashta, fortesa dhe kisha ortodokse me kupola blu: Riviera është mrekulli e pastër.
Kryeqyteti Tirana
Tirana është qyteti im i preferuar në Shqipëri, një vend plot me gjëra për të parë, muzeume për të vizituar dhe vende për të zbuluar. Kryeqyteti shqiptar gjithmonë është në gjendje të mahnisë, sepse është një qytet me një evolucion të vazhdueshëm, gjithmonë në lëvizje dhe ku nuk jeni të mërzitur. Përveç turneut klasik që në mënyrë të pashmangshme përfshin një ndalesë në sheshin “Skënderbej” gjigant (dhe të bukur), unë rekomandoj të hyni në rrugicat e prapme për të shkuar në zbulimin e Tiranës reale, të bëra nga shtëpitë e ulëta, tregjet e frutave dhe perimeve dhe të frekuentuara nga vendasit.
Qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës
Shqipëria është shtëpia e tre vendeve të UNESCO-s, dy prej të cilave janë qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës. Të dy këto qytete Berati dhe Gjirokastra janë ndalesa të pamungueshme gjatë itinerarit shqiptar, jo vetëm për bukurinë e tyre të padiskutueshme, por edhe për vlerën e tyre të madhe kulturore. Në të vërtetë, qytetet janë dy nga shembujt më të mirë të arkitekturës osmane në botë, si dhe vende të bashkëjetesës paqësore të feve dhe kulturave të ndryshme.
Liqeni i Ohrit
Një nga vendet më tërheqëse që kisha fatin për të vizituar në Shqipëri ishte liqeni i Ohrit, i cili merr emrin nga qyteti i njëjtë dhe i bukur që gjendet në anën maqedonase. Qetësia që transmeton ky vend nuk mund të përkufizohet me fjalë, është e nevojshme të jesh aty për ta realizuar atë. Panoramat janë aq të bukura, sa duket sikur shikon një pikturë: liqeni i qetë në sfond dhe malet madhështore. Ndërsa nuancat rozë në qiell janë një magji.
Njerëzit kanë mikpritje unike
Një nga arsyet pse një udhëtim në Shqipëri është më shumë se një aventurë, është mundësia për të kaluar kohë me njerëzit që jetojnë atje. Shqiptarët janë mikpritës unikë: kurrë nuk kam takuar një popull kaq miqësor dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, si populli shqiptar.
Gadishulli i Karaburunit
Një alternativë e shkëlqyer për Rivierën Shqiptare është Gadishulli i Karaburunit. Për të arritur atë ju duhet të merrni një udhëtim të mrekullueshëm me varkë (që zgjat rreth një orë) që të çon në zbulimin e një nga plazheve më të bukura në Mesdhe. Karaburuni ishte në të kaluarën një gadishull ushtarak, për disa vite ka hapur dyert e saj për publikun dhe sot është një nga vendet më të bukura në Shqipërinë jugore.
Turizmi nuk është ende shumë i zhvilluar
Nëse jeni të lodhur nga nxitimi i turistëve, duke pritur në radhë të pafundme dhe të vizitoni vende që tani i njohin të gjithë, Shqipëria është vendi që bën për ju. Nxitoni megjithatë, sepse shumë janë të vetëdijshëm për këtë xhevahir ballkanik dhe shumë zona kanë filluar të frekuentohen nga një numër i konsiderueshëm turistësh. Ka ende shumë vende që mund të vizitohen pa ndonjë gjurmë turistësh, si Manastiri i Zvërnecit, dhjetë minuta me makinë nga Vlora, një vend mistik me bukuri të pakrahasueshme.
Ushqimi
Po në lidhje me ushqimin? Ushqimi shqiptar është thjesht fantastik. Produktet që gjenden në tregje të shpërndara pothuajse kudo në qytetet kryesore janë shumë të freskëta dhe kanë një shije unike, diçka gjithnjë e më të vështirë për t’u gjetur në Itali. Restorantet (madje edhe ato më luksoze) ofrojnë mënyra të shkëlqyera me çmime të moderuara, krahasuar me ato të Europës Perëndimore dhe shumëllojshmëri të madhe të pjatave. Ushqimi në rrugë është një aventurë e vërtetë e kuzhinës! Për të provuar byrekun (në një nga variantet e tij të shumtë) dhe trileçe (ëmbëlsirën me tre lloje qumështi): përgatituni të ktheheni në shtëpi me disa kilogramë më shumë!
Parqet arkeologjike
Shqipëria është një vend me histori të lashtë, vërtet shumë të lashtë, ku lanë gjurmët e tyre, ndër të tjera, ilirë, grekë, romakë, osmanë dhe venecianë. Këshilla ime është të kushtosh pak kohë për të vizituar të paktën një nga dy parqet më të rëndësishme arkeologjike në vend, Butrintin dhe Apoloninë. Ky i fundit ndodhet në afërsi të qytetit të Fierit, pak më shumë se një orë larg nga Tirana dhe është vendi ku perandori Oktavian ka studiuar në të kaluarën. Por, Butrinti është flamuri i vërtetë i Shqipërisë, një vend me bukuri unike, i vendosur në një mjedis të mrekullueshëm natyror, prapa plazhit të Ksamilit.
Ka shumë për të parë, përveç destinacioneve të njohura
Nëse tashmë e njihni vendin dhe doni të shkoni në zbulimin e vendeve më pak të njohura, por po aq të bukura, mos u shqetësoni: Shqipëria është një surprizë e vazhdueshme. Përveç destinacioneve klasike të tilla si Riviera, kryeqyteti dhe qytetet historike, Kruja, qyteti i heroit kombëtar shqiptar Skënderbeu (e vendosur në male) dhe Korça, e konsideruar së bashku me Shkodrën si një nga qytetet më kulturore të Shqipërisë, meritojnë një vizitë. Të gjithë ju duhet të nisni aventurën. Mirë se erdhe në Shqipëri!/ATA/