Kryetari i partisë “Serbia e bashkuar”, Dragan Markoviq, ka vlerësuar se fshirja e kufijve ndërmjet Kosovës e Shqipërisë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj Serbisë, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se ky është sulm edhe ndaj Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë dhe Bashkimit Evropian.
“Edi Rama e bën këtë sepse po përballet me probleme të mëdha në shtetin e vet e Ramush Haradinaj është klient i ardhshëm i Gjykatës Speciale. Rama dhe Haradinaj po përpiqën ta marrin përkrahjen e nacionalistëve shqiptarë në të dy anët e Bjeshkëve të Nemuna, që të mbijetojnë, përkatësisht që Haradinaj të mbetet në liri”, ka thënë Markoviq në deklaratën që e publikojnë sot medie të Beogardit.
Ai ka theksuar, transmeton Koha.net, se “për kundër krijimit të Shqipërisë së madhe, BE-ja mund ta ketë vetëm një përgjigje – ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Tiranën e Prishtinën pasi çdo gjë tjetër duket joserioze dhe ngjan në përkrahje të Shqipërisë së madhe”, ka thënë ai dhe ka shtuar se pret edhe reagimet e Malit të Zi, Greqisë e Maqedonisë sepse “Shqipëria e madhe është sulm edhe ndaj tyre”.
Vendosjen e pikave të përbashkëta në kufirn Kosovë-Shqipëri, zyrtarët serbë ka disa ditë që po e trajtojnë si hap të parë drejt krijimit të Shqipërisë së madhe.