Policia në Letoni ka vendosur që të kufizojë aksesin të një nga sheshet kryesore në qytetin e Rigas, ku këtë të martë luhet ndeshja mes Letonisë vendase dhe Shqipërisë.
Kjo për shkak se pritet një numër relativisht i madh tifozësh shqiptarë në qytet për ndeshjen në fjalë.
Paraprakisht, bëhet e ditur se do të jenë të paktën 500 tifozë të pranishëm që kanë udhëtuar për ndeshjen, por ky numër mund të rritet ndjeshëm. Ndaj për të shmangur probleme që mund të lindin “Sheshi i Lirisë” do të jetë me akses të kufizuar gjatë orëve të kësaj dite.
Në fakt, në mediat vendase kjo interpretohet më shumë si një provë gjenerale, jo se priten trazira nga tifozët shqiptarë, pasi në këtë qytet do të luhen më vonë dy ndeshje që ata i cilësojnë me rrezikshmëri më të lartë sa u përket tifozëve, ato me Serbinë në shtator dhe Anglinë në tetor.
Drejtuesit e policisë në Riga treguan se nuk do të ketë aktivitete tifozësh në këtë shesh e sidomos pranë ”Monumentit të Lirisë”. Policia bëri të ditur se në rast nevojë, do të mbyllej plotësisht sheshi, për të shmangur ndonjë vandalizëm. Forcat e rendit ishin përballur me kritika pasi tifozët e Ajaksit kishin shkatërruar pjesë të sheshit me aktet e tyre pak kohë më parë./Periskopi/