Më shumë se 100 deputetë të Kuvendit të Kosovës sot kanë votuar pro tri projektligjeve të FSK-së(Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për FSK-në dhe projektligji për shërbimin e FSK-së), të cilat i hapin rrugë transformimit të saj në ushtri. Kundër votimit të këtyre tri projektligjeve ishin vetëm Lista Serbe të cilët edhe lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie për formimin e saj, raporton “Zëri.info”.
Këto projektligje në Kuvend janë sjell për leximin e parë dhe pritet që pas disa javësh të ri sillen për lexim të dytë e më pas të përfundoj edhe i gjithë procesi.
Spektri politik në vend e kanë mirëpritur miratimin e këtyre tri projektligjeve që i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës.
Përveç politikanëve në Kosovë të lumtur për ushtrinë janë shprehur edhe ata nga Shqipëria.
Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ai i cili përmes një postimi në “Facebook”, ka uruar Kosovën për ushtrinë.
“Lavdi dëshmorëve të Kosovës dhe bekuar qoftë ushtria e sapolindur e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama.
Përveç Ramës urime për ushtrinë e Kosovës ka pasur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Këtë veprim nga pala kosovare Basha e ka cilësuar si kontribut të shtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ballkan.
‘Përshëndes votimin e ligjit që i hap rrugën krijimit të ushtrisë së Kosovës. Kosova me ushtrinë e vet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët euro-atlantikë dhe me aspiratën e anëtarësimit në NATO, do të jetë një kontribut i shtuar për paqen dhe sigurinë në Ballkan’, ka shkruar kreu PD-së, Lulzim Basha.
Kosova pritet që në muajin nëntor ta përfundoj procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri.