Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të presë një tjetër event të rëndësishëm europian. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2022 për Kombëtaren e meshkujve U-19.
Shqipëria e drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në të njëjtin grup me Francën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Të gjitha ndeshjet e grupit 7 do të zhvillohen në vendin tonë në datat 10, 13 dhe 16 nëntor, ka njoftuar FSHF.
Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Francës më 10 nëntor, duke nisur nga ora 14:00 në stadiumin “Egnatia” në Rrogozhinë. Kuqezinjtë do të luajnë tre ditë më vonë ndaj Serbisë në po të njëjtën orë në Elbasan, teksa ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor në ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Federatës së Futbollit i janë besuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme të nivelit europian këtë vit, siç kanë qenë ndeshjet e turit para-eliminator të Champions League 2021/2022, organizimi i 6 ndeshjeve të turit para-eliminator të Futsal Champions League 2021/2022, organizimi i ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian 2021/2022 për Kombëtaren e femrave U-17, apo një nga eventet më të mëdha të UEFA-s, mbledhja e Komitetit HatTrick në Tiranë më 30 shtator.
Një tregues ky mjaft i qartë i punës së mirë që FSHF-ja ka treguar ndër vite, duke dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri te qeveria e futbollit europian.
Kalendari i ndeshjeve për Grupin 7:
10 nëntor: Francë – Shqipëri , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 14:00
10 nëntor: Maqedoni e Veriut – Serbi , “Elbasan Arena”, ora 12:00
13 nëntor: Serbi – Shqipëri , “Elbasan Arena”, ora 14:00
13 nëntor: Francë – Maqedoni e Veriut , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 12:00
16 nëntor: Shqipëri – Maqedoni e Veriut , “Elbasan Arena”, ora 14:00
16 nëntor: Serbi – Francë , “Egnatia – Rrogozhinë”, ora 14:00