Qeverisja e Shqiprim Arifit në Preshevë do të marrë fund dhe kështu edhe qeverisja e shqiptarëve për një kohë.
Për tre muaj, në mungesë të kuorumit nuk është mbajtur asnjë mbledhje e rregullt e Kuvendit Komunal të Preshevës dhe dje ishte afati i fundit ligjor për ta funksionalizuar qeverisjen. Pasi një mbledhje e caktuar për orën 10:00 dje nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit, sipas ligjit në Serbi, tash i mbetet shtetit serb ta zgjedhë një përbërje të përkohshme për ta drejtuar në komunën e cila banohet në shumicë nga shqiptarët.
Partisë për Veprim Demokratik, subjekti tjetër politik shqiptar në opozitë dhe Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit nuk pranojnë të bashkëpunojnë në një koalicion.
Në anën tjetër, kreu i Partisë Përparimtare Serbe në Preshevë, Branko Trajkoviq nuk shprehu gatishmërinë për ta mbajtur në pushtet një qeverisje shqiptare.
Arifi reagoi sot në Facebook duke shkruar se ndryshimi “nuk ndalet”.
“Ndryshimi nuk ka nisur me një dhe me një nuk ndalet! Ndryshimi është mision që nuk përfundon, vetëm trashëgohet! Ndryshimi nuk Ndalet!”, shkroi ai.
Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nga Partia për Veprim Demokratik foli për pazare të pushtetarëve të deritashëm shqiptarë në Preshevë me “nëntokën e politikës në Beograd”.
“Dje Kuvendi Komunal i Preshevës e kishte afatin e fundit ligjor për të mbajtur seancë, në mënyrë që të mos futet në procedurat ku pushtetin e përcakton Qeveria e Serbisë. Në fakt, që nga kontrabandimi i pushtetit nga trinomi i deri djeshëm qeverisës APN / LR / Lista Serbe, pushteti lokal ishte edhe i përcaktuar. Edhe i nënshtruar. Edhe i shantazhuar. E edhe i dirigjuar. Normalisht nga Beogradi. Nga pazaret e turpshme të nëntavolinave të binomit Shqiprim & Sami me nëntokën e politikës në Beograd”, shkroi Sinani.
Sipas saj, praktikisht pushteti i deridjeshëm nga 23 korriku “nuk ka pasur shumicë shqiptare në Kuvend”.
“Ky ishte “ndryshimi” i vetëm që iu servua shqiptarëve të Preshevës nga ana e Shqiprim Arifit, e i ndihmuar edhe nga Sami Salihu, i cili edhe patericë e tij pranoi të bëhet vetëm që të përfshihet në ujërat e turbullta të planifikuara nga nëntoka politike” shkroi ajo.
Sinani shkroi se nga sot do të punojnë në partinë e saj, që, siç tha ajo, “pushtetin t’ua rikthejmë qytetarëve”.
“…Që ta shporrim nga Presheva mentalitetin e qeverisjes së kufizuar nga kushtëzimet, shantazhimet e dirigjimet nga nëntoka e Beogradit”, shkroi ajo.
“Le të angazhohemi nga sot që mos të na përsëriten më kurrë udhëheqës që Prishtinën e Tiranën e shohin armike të Preshevës e Luginës. Le të mos na përsëritet kurrë më situata që Presheva të nderoj me flamuj në gjysëmshtizë terroristë si Radojiçiqi e kriminel tjerë që vrasin polic shqiptar në Republikën e Kosovës”, shkroi ndër tjerash Sinani./Express/