Një artikull në gazetën blick që bënte fjalë për rastin e një burri të varfër në Zvicër, ka prekur shumë njerëz në këtë vend të pasur. Në mesin e atyre që kanë reaguar ka qenë edhe Ardian Prenaj, një i ri 24 vjeçar me banim në Kantonin e Cyrihut.
Ai ka ndërmarrë një nismë për të ndihmuar burrin në fjalë (Markus Christen, 65 vjeçar) po dhe nevojtarët tjerë.
Pastaj pasi kishte lexuar edhe një artikull në gazetën 20 minuten për një grua të varfër, e cila përmes mediave kishte kërkuar ndihmë për ushqim, Ardiani kishte hasur në grupin e krijuar në facebook “Fresspäckeli – Leben am Existenzminimum Schweiz” (Kutia me ushqime – jeta në minimumin ekzistencial, Zvicër), transmeton albinfo.ch.
Përmes këtij grupi ai kishte shprehur dëshirën të ndihmonte një familje në nevojë duke i blerë artikuj ushqimorë.
Prenaj ishte habitur se sa shumë veta ishin paraqitur për të marrë ndihmë pas postimit të bërë. “I dëgjova disa rrëfime shumë prekëse dhe nuk mund të vendosja cilin ta ndihmoja më parë”.
Me vendim të shpejtë ai kishte ndarë mendjen të ndihmonte tre persona të prekur nga varfëria: Një gruaje vetushqyese nga Sri Lanka i ka blerë dy torta për ditëlindjen e të birit, me një nënë italiane të dy fëmijëve ai do të shkonte për të bërë pazaret në dyqan ndërsa një nëne të re nga Cyrihu i ka caktuar takimin për të blerë bashkë ushqime dhe gjësende me shumicë në një qendër tregtare.
Ardiani thotë se për të nuk ka qenë e vështirë të besojë se edhe në Zvicër ka njerëz në nevojë.
Tani atij nuk i mungon asgjë por si i vogël thotë se prindërit e tij, atëbotë të ardhur rishtas nga Kosova, ishin të detyruar të punon tepër shumë për të siguruar një jetë modeste. Sot ai punon në lëmin e patundshmërive dhe ka 10 punëtorë në firmën e tij,
Ai e njeh varfërinë në Kosovë, ku bashkë me prindërit vazhdon të ndihmojë të afërmit dhe të njohurit në gjendje të keqe.
Ardiani, i ardhur në Zvicër si fëmijë 3 vjeçar, i është shumë mirënjohës këtij vendi për gjithë çfarë ka arritur deri tash në jetë.
“Prandaj dua edhe unë të jap diçka në kthim”, thotë ai. Por, për të marrë vendimin që të ndihmojë dikë materalisht atë e kishte shtyrë edhe një motiv: “Ardiani është i vetëdishëm se disa bashkatdhetarë të tij nga Ballkani kanë imazh të keq në Zvicër prandaj ai dëshiron ta përmirësojë sadopak këtë imazh.
Para hyrhjes së qendrës tregtare Ardiani pret zviceranen e re Daniela M, e cila kishte ardhur këtu me tren. Ata njiheshin vetëm nga fotot në fb. Paksa e trembur, ajo përshëndetet duke u përqafuar me Prenajn. Me karrocën për blerje kalojnë përmes vitrinave me mallra në marketin e qendrës tregtare.
Ajo merr gjësende duke u sjellë me ngurrim. Dhe thotë “Jam e prekur jashtë mase dhe mezi besoj që dikush mund të jetë kaq bujar”.
Për shkaqe shëndetësore, Daniela ishte detyruar të braktiste vendin e saj të punës, të paguar shumë mirë.
Tashti ajo merr pension invaliditeti dhe jeton në minimumin ekzistencial. “Ndryshe, unë blej zakonisht në dyqane të Caritasit. Aty nuk ka shumë zgjedhje dhe prodhime të freskëta”. Ajo përpiqet veçanërisht që të sigurojë ushqim të përshtatshëm dhe të shëndetshëm për të birin njëvjeçar. “Unë vetë mund të ha edhe disa ditë me radhë makarona por djalit dëshiroj t`i siguroj ushqimm më cilësor”.
Ngadalë ajo e mbush karrocën me fruta, perime, oriz, drithra, mish, peshk, djath, qumësht dhe gjalpë. Dhuruesi dëshiron të dijë nëse ajo vërtet tash i ka në karrocë të gjitha që i duhen. Daniela thotë se me gjithë këto që ka blerë mund të kalojë një kohë të konsiderueshme. Prenaj e fut kartën bankare në arkë dhe paguan rreth 290 franga.
Pastaj Ardiani e merr gruan në fjalë në makinën e tij sportive ku i ngarkon edhe katër qese të mbushura me artikuj si dhe dy pako me pelena. E çon atë në banesën e saj ku i ndihmon për t`i bartur deri në banesë gjërat e blera. Pasi e falënderon dhuruesin e saj, Daniela thotë në ndarje: “Sonte unë do të kem sigurisht një natë me gjumë të qetë”.
Edhe Prenaj duket i lumtur. “Unë nuk jam i pasur dhe punoj për para por të paktën këto dhurata shkojnë te njerëzit që kanë vërtet nevojë”. Ai thotë se nuk ndihet si bamirës, por shpreson shumë që në një afat më të gjatë të gjejë dhurues të tjerë të gatshëm për të ndihmuar personat e prekur nga varfëria si nëna e re Daniela M. ose pensionisti Markus Christen.