Në majin e vitit 2021, pak pas orës 19:00, Florent M.*, që tani është 26-vjeç, i hipi Ferrarit të tij të kaltër. I riu përshpejtoi, ndërsa vetura e tij bëri zhurmë të madhe. Ai po e ngiste makinën e tij me shpejtësi nga rruga Dietikon për në Spreitenbach. Por derisa po tentonte të merrte një kthesë, gjithçka i doli nga dora. Nga shpejtësia e madhe, kosovari del nga rruga dhe me veturën e tij luksoze godet një mur.
Florent M. nuk pëson lëndime, por makina e tij bëhet për skrap. “Si pasojë e aksidentit, rruga u desh të mbyllej për rreth dy orë”, pati thënë policia kantonale e Cyrihut në atë kohë.
Një hetim i gazetës zvicerane “Blick” ka treguar se ky aksident pati pasoja të hidhura për Florent M., i cili u dëbua në Kosovë. Për më shumë se tri vite, ai luftoi për të drejtën që të mbetet në Zvicër – por pa sukses. Rreth një vit pas aksidentit, Gjykata e Qarkut e Dietikonit e shpalli atë fajtor për aksident të rëndë dhe e dënoi atë me 43 muaj në burg. Gjykata e Qarkut fillimisht nuk vendosi për dëbimin e tij. Sipas dokumenteve, Florent M. po voziste me shpejtësi prej së paku 100 km/h në vend të 60 km/h dhe la shenja nga djegia e gomave në gjatësi prej rreth 170 metrash. Në prezencë të avokatit të tij, ai pranoi se po ngiste madje deri në 120 km/h. Kjo duket edhe nga dokumentet e gjykatës, transmeton Klankosova.tv.
Por as Florent M. e as zyra e prokurorit publik të Cyrihut nuk ishin të kënaqur me gjykimin. Të dyja palët e apeluan. Në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Cyrihut konstatoi se gjykimi ishte i drejtë, por shkoi edhe një hap tutje: urdhëroi dëbim prej gjashtë vjetësh mbi bazën e Aktit të Vozitjes së Pakujdesshme.