SHSKUK përmes Komisionit Disiplinor e ka pezulluar nga puna logopedin Iljasa Fazliun, pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës për shkak të skandalit me vajzën 5-vjeçare.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka deklaruar se është pezulluar nga puna logopedi Iljasa Fazliu, nga Komisioni Disiplinor, shkruan Gazeta Shneta.
“Ju njoftojmë se pas informatës me shkrim nga drejtori i Klinikës së Otoringologjisë, në lidhje me situtatën e u.d. Shefit të Defektologjisë, i njëjti është pezulluar nga puna nga Komision Disiplinor i QKUK-së, në bazë të Ligjit NR. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, nenit 85 paragarfi 1”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Fazliu është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën, për shkak të skandalit me abuzimin e vajzës 5-vjeçare me autizëm.
Fazliu ishte emëruar shef i shërbimit të logopedisë në Klinikën e ORL-së në QKUK, nga ud.drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi. Oda e Infermierëve të Kosovës e cila është kompetente për licencimin e logopedëve, ka konfirmuar se Fazliu nuk është anëtar i tyre dhe nuk është i licencuar.
Por SHSKUK ka deklaruar se Fazliu kishte licencë pune nga Ministria e Shëndetësisë. “Ndërkohë ju njoftojmë se i njëjti në kohën kur ka pranuar detyrën e u.d. shefit ka prezentuar licencën valide të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila figuron në dosjen e personelit”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Nga SHSKUK nuk kanë sqaruar se për çfarë licence bëhet fjalë pasi kompetenca për licencimin e profesionistëve shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë janë bartur tek odat e profesionistëve nga viti 2017. /Gazeta Shneta/