SHSKUK sjell pajisje moderne mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit – DIGITAL C-ARM SYSTEM
Spitali i Përgjithshëm në Gjilan është pajisur me aparaturën e avancuar Digital C-ARM System, një teknologji moderne që rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimeve diagnostike.
Drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, theksoi:
Bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm me SHSKUK po sjell rezultate konkrete për pacientët dhe stafin tonë. Instalimi dhe vënia në funksion e pajisjes së re DIGITAL C-ARM SYSTEM në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan po mundëson avancimin e shërbimeve diagnostike, rritjen e cilësisë së trajtimit dhe ofrimin e një kujdesi më të shpejtë dhe më të saktë për pacientët tonë.
Bashkëpunimi ndërmjet SHSKUK-së dhe Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit po dëshmohet si një model i suksesshëm i zhvillimit të kapaciteteve shëndetësore. Përmes koordinimit të përbashkët me investimet e synuara, po krijohen kushte më moderne pune për stafin mjekësor dhe shërbime më cilësore për pacientët e Ortopedisë dhe Traumatologjisë.
Fluroskopia është një pajisje që shërben si ndihmë e rëndësisë së veçantë në mjekimet më të avansuara me metoda bashkëkohore në Ortopedi e Traumatologji, si në trajtimet operative të hapura, në ato minimal invazive, por sidomos në ato të mbyllura, ku fluoroskopia quhet edhe ’syri i tretë’ i Kirurgut Ortoped.







