Izeir Hyda
(Toponimet e vendlindjes sime, Pogragjë)
Kroi i fshatit tonë
Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar
ç’na buron nga mali, duke mërmëruar
Venë e mbushin ujë, vashat anembanë
cipëzën me oja, lidhur menjanë.
Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjend i lyer
që nga rrez’ e malit, ç’na buron rrëmbyer
Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy menjanë.
Kush i këndoi më bukur kroit të fshatit se Lasgushi ynë i madh. Kush ia derdhi perlat më t’bukura këtij ‘vendi’ ku shuheshin dy etje: etja për të pirë ujë dhe etja për tu takuar me njëri-tjetrin, miku me mikun, shoku me shokun….
Pogragja është një fshat i pasur me burime të shumta uji, me kroje e çezma me ujë të pastër e të kulluar, të ftohtë akull, që rrjedhin e rrjedhin pa ndërprerë.
Janë këto vende ku pushojnë e freskohen jo vetëm banorët e Pogragjës, të rrethinës, por edhe shumë udhtarë që kalojnë atypari.
Krojet dhe çezmat jo vetëm që ishin burime uji, por ishin edhe vet jeta e Pogragjasve.
Sa malsorë shtatëgjatë e udhëtarë të lodhur, sa kostarë të djersitur e barinjë, që bartnin bukën me vete, kanë shuar etjen në këto kroje e çezma.
Për këto vendburime uji, ne përdorim dy fjalë të ndryshme, krua dhe çezma (çeshme). Këto dy fjalë janë sinonime të përafërta. (Sinonimet janë fjalë të ndryshme që kanë kuptim të njëjët apo të përafërt).
Megjithatë, mendoj, se krojet dallojnë nga çezmat, si për nga shtrirja e tyre e po ashtu, edhe për nga ndërtimi.
Kroi formohet me më pak përgatitje dhe po në atë vend ku buron uji, ndërsa çezmat (fjala është për çezmat publike), mund të ndërtohen në vend-burim, ose të barten në ndonjë vend më të përshtatshëm ku frekuentohet më shumë nga njerëzit, zakonisht, skaj rrugëve.
Prej shumë krojeve e çezmave që kishte Pogragja në të kaluarën, disa kanë arritur, akoma t’i mbijetojnën kohës.
Shtatë krojet dhe njëzet e tri çezmat e Pogragjës
Pogragja ka një numër shumë të madh te burimeve natyrore të ujit, e po ashtu edhe një numër shumë të madh të krojeve.
Ne do ti përmendim shtatë sosh dhe do t’i shënoj ashtu si i ka emërtuar populli:
Kroni i Hasimes (Kroni i Q. Rashitit)
Bellovoda
Kroni i Bugarit
Kroni i Demës
Kroni i Hydës
Kroni i Kishës
Kroni i Ibishit
Kroni i Hasimes (Kroni i Q. Rashitit)
Në anën e majtë të rrugës Gjilan – Pogragjë, kah Lugu i Shkurtë, rrënzë malit, ishte një krua me ujë akull, ku shuanin etjen barinjët dhe kalimtarët e rastit. Karakteristikë e këtij kroi, sipas tregimeve ishte ‘parashikimi stinor i motit’.
Kur kishte ujë ky kru, vera ishte e thatë, ndërsa kur e humbiste ujin paralajmëronte se vera do të jetë me shi.
Ky krua sot njihet me emrin Kroni i Qamili Rashitit.
Bellovoda
Është një krua që gjendet në Rrasën e Lipovicës, disa metra më lartë, në anën e majtë të Lumit të Llapushnicës.
Bellovoda ‘ Ujë i bardhë’ është një burim me ujë akull që është një nga shumë krojet furnizuese të lumit të Llapushnicës dhe nuk ka shterruar kurrë deri më tash.
Kroni i Bugarit
Ky krua gjendet në rrugën e vjetër të Kalasë së Pogragjës që quhej Kroni i Kalasë. Më vonë pas pushtimit bullgar, kur u rindërtua rruga e vjetër që lidhte fshatrat: Pogragjë, Uglar Pasjan, Llashticë Zhegër… e tutje, në të njëjtën kohë, nga mjeshtër vëndës u rindërtua edhe kroi (ka qenë i mbuluar me rrasa guri) dhe që nga ajo kohë ruhet si hidronim me emrin Kroni i Bugarit.
Kroi i Demës
Në anë e djathtë të rrugës Pogragjë – Sllubicë, mbi Fushën e Lilës gjendet Kodra e Gollogllavës. Në këtë kodër shkohet nga tri drejtimet: përmes rrugës së vjetër (Rruga e Rabës), që kalon përmes Fushës së Lilës dhe Kodrës së Nurës dhe përmes dy rrugëve shumë më të përshtatshme; nga Rruga e Sllubicës dhe nga Rruga e Llovcës.
Kjo kodër-mal, në sipërfaqën e saj ka edhe mjaft toka të punuara, ku gjendet edhe Kroi i Demës.
Ky krua ‘hidronim përkatësie’ u shfrytëzua nga barinjët dhe pogragjasit që i punonin këto ara.
Kohët e fundit, sidomos, pas hapjes së plantacionit të bashkëvendësit tonë, Ramadan Fetahut; jo vetëm kroi (që tani është një çezme) po edhe arat, edhe mali, më shpesh po quhen me emrin Kroi i Demës, emër ky, që po mirëpritet nga pogragjasit.
Kroni i Hydës, Kroni i Kishës dhe Kroni i Ibishit – tre krojet e Limajës
Tre krojet tjerë me emra përkatësie: Kroni i Hydës, Kroni i Kishës dhe Kroni i Ibishit gjenden ndërmjet arave të Limajës dhe arave të Meqavës.
Këto kroje i kanë shfrytëzuar barinjët dhe bujqët e Pogragjës dhe Bukovikut në mënyrë të përbashkët si dy fshatra fqinje.
Toponimi më i vjetër, nga këta, eshtë Kroi i Kishës që furnizonte kishën me ujë. Këtu e ka burimin Lugi i Kishës që derdhet në lumin Morava.
Njëzetë çezmat publike të Pogragjës
Çezm/ë, emër i gjinisë femërore, numri shumës çezma/t, gyp a lug i ngushtë nëpër të cilin rrjedh ujë i pijshëm, burim i mbuluar, ku uji del nërpër një gyp.
Çezmë e njomë me ujë.
Çezmë e thatë pa ujë.
(Çezmat e Pogragjës do t’i quaj çeshme-çeshmja- çeshmet, ashtu si i quan populli)
Pogragja ka burime të shumta uji, të cilat i furnizojnë çeshmet e Pogragjës, që kryesisht ndodhen skaj rrugëve.
Ndër çeshmet kryesore që i kanë qëndruar kohës, së paku si ndërtime, apo janë renovuar e ndërtuar sërish të reja janë:
Çeshmja e Muharrem Shabanit
Çeshmja e Ramiz Shabanit
Çeshmja e vjetër e Haxhisë
Çeshmja e Re e Haxhisë
Çeshmja në memorialin e H. Salihut
Çeshmja e Sherif Sheriit
Çeshmja e Zahir Shabanit 1 te Kooperativa Bijqësore
Çeashmja e Balovitëve (Qeshmja e Xhemisë)
Çeshmja e Rrethit (Qeshmja e Hafizit)
Çeshmja e Salla Arifit
Çeshmja te Parku i fshatit
Çeshmja Sherif Salihu
Çeshmja 2 e Zahir Shabanit
Çeshmja e Ali Aliut
Çeshmja 3 e Zahir Shabanit
Çeshmja e Shefki Xhemailit
Çeshmja e Familjes Jashari
Çshmja Hajrijes – Grahecë
Çeshmja 1 e Grahecës
Çeshmja 2 e Grahecës
Çeshmja e Xhevat Sabedinit
Çeshmja me dollap në Grahecë dhe
Çeshmja e R. Shefkiut nga Dobrosini në Grahecë
Çeshmet e Muharrem Shabenit dhe Ramiz Shabanit
Dy çeshmet, ajo e Muharrem Shabanit dhe Ramiz Shabnit, gjenden në në kilometrin e njëmbëdhjetë të rrugës Gjilan-Pogragjë, në anën e majtë të saj; njëra, pasi ta kalosh Lugun e e Shkurtë dhe tjetra në find të Lugut të fshehtë.
Te dyja këto çeshme funrizohen me ujë nga Rrasa e Guvenit dhe dhe hynë në llojin e qeshmeve të njoma dhe kanë ujë në çdo stinë të verës.
Vlen të theksohet se Çeshmja e Ramiz Shabanit është ndërtuar rishtas, pak më lartë se e vjetra, me mbuloj e gjelbërim që ka krijuar një ambient të mirë për freskim.
Çeshmja e Sherif Sherifit
Kjo çeshme eshtë e re. Është ndërtuar përballë Varrezave të Cenajve, në anën e djathtë të rrugës së Kslasë. Është çeshme me mbulojë. Mbanë emrin Sherif Sherifi nga Lagjja e Cenajve.
Tri variantet e Çeshmes së Haxhisë
Çshmja e Haxhisë e vjetra ka qenë më poshtë se ura e tashme (ura e tashme) në anën e majtë të lumit Morava, skaj urës së vjetër të Haxhisë, urë që nuk ekziston më.
Këtë qeshme e kishte ndërtuar baskëvendësi ynë Haxhi Sali Salihu që ra heroikisht në luftën e Kitkës më 1912.
Nga kjo çeshme që kishte ujë të ftohtë e të bollëshëm, kanë mbetë vetëm muret, të mbuluara nga bimësia dhe shembja e dheut.
Qeshmja e Haxhisë është ndër Qeshmet më të vjetra.
Më vonë nga burimi i kësaj qeshme, në afërsi ku ndalej autobusi, para se të ndërtohej ura e re, u ndërtua një çeshme tjetër.
Dhe tani ‘varianti i tretë’ çeshmja më e re eshtë ndërtuar në kuadër të memorialit të Haxhi Salihut.
Çeshmja e Rrethit (Çeshmja e Hafizit)
Çeshmja e Rrethit gjendet në anën e majtë të lumit Morava, te Arat e Rrethit, pikërisht në arën e Hafiz Durmishit dhe për këtë disa e quajnë Qeshmja e Hafizit.
Këtë çeshme e kanë shfrytëzuar, kryesisht, bujqët që punon Arat e Sazit, Arat e Binakeve etj.
Po ashtu kjo çezme i ka shërbyer edhe kalimtarët që qarkullonin nëpër rrugën ndihmëse për këmbësorë, që fillonte te Ura e Haxhisë bregut të majtë të lumit Morava, rrugë që vazhdonte deri te Arat e Fundijave.
Tri çeshmet e Agës Za
Bashkëvendësi ynë Zahir Shabani, një puntor i palodhshëm, përveç disa çeshmeve që i punoi, të financuara në forma të ndryshme, i punoi dhe tri çeshme me financa të veta me mjete të thjeshta kjasike – me një kazmë dhe një lopatë të vogël.
Çeshmen te ish Kooperativa Bujqësore
Çeshmen në fund të Përronit të Krekzave dhe
Çeshmen te varrezat kryesore të fshatit.
Çeshmja e Ali Musli Aliut
Kjo çeshme gjendet në anë e majtë të rrugës fushore që të çon në Arat e Meçavës. Furnizohet me ujë bga Lugi i Kishës. Është çeshme e njomë me ujë të mirë që shërben për kalimtarët dhe bujqët që punojnë në këto anë.
Çeshmja e Balovitëve (Çeshmja e Xhamijës)
Kjo çeshme gjendet në oborrin e Xhsmisë së fshatit. Është një ndër çeshmet më të vjetra të Pogragjës. Ka shërbyer për kalimterët e rastit, për banorët e Lagjës së Balovitëve, e më gjërë, por kryesisht, ka shërbyer për xhematin e xhamisë.
Kjo çeshme burimin e ka rrënzë Kodrës së Tumës dhe uji deri te oborri i xhamisë në fillim ishte sjell me gypa qeramike, të cilët më vonë janë zëvendësuat me gypa plastike.
Pas renovimit të fundit të çeshmes është punuar mbuloja, uji është ndarë në disa çepa dhe ka marrë formën e shadërvanit.
Çeshmja e Salla Arifit dha Çeshmja e Parkut
Prej xhamisë deri te shkolla e fshatit, për gjatë rrugës janë edhe dy çeshme tjera. E para është çeshmja e Salla Arifit që gjendet në anën e majtë të rrugës se fshatit dhe tjetra gjendet te muri i Parkut kryesor të fshatit.
Çeshmja e Sherif Salihut
Çeshmja ‘Sherif Salihu’ gjendet në oborrin e Shkollës Fillore LIRIA të Pogragjës. Kjo çeshme mban emrin e një aksionisti të madh, ish puntorit të kësaj shkolle, veteranit të arsimit – Sherif Salihut.
Kjo çeshme kishte rëndësinë e vet për furnizimin me ujë, jo vetëm të nxënësve e puntorëve të kësaj shkolle, por edhe kalimtarëve të rastit, sidomos në kohën, kur mungonte ujësjellësi.
Çeshmja e Shefki Xhemailit
Në kilometrin e tretë të rrugës Pogragjë – Dobërçan në anën e djathtë të saj, afër Përronit të Tamacit gjendet Çeshmja e Shefki Xhemailit.
Kjo çeshme e bashkëvendësit tonë furnizonte me ujë udhtarët dhe bujqët e arave të kësaj ane.
Çeshmja e Familjes Jashari
Kjo çeshme e re gjendet në anën e majtë të rrugës Pogragjë – Dobrosin, karshi varrezave të fshatit.
Është një çeshme e mbuluar dhe një vend i përshtatshëm për pushim, që freskon kalimtarët e rastit njerëzit e funeraleve që marrin pjesë në ndonjë varrim si dhe bujqët që punojnë arat përreth.
Gjashtë çeshmet e Grahecave
Livadhet e Grahecës janë livadhet më të mëdha dhe më të largëta, të cilat kositeshin një herë në vit dhe pastaj ktheheshin në kullosa për tër vitin, për një numër të madh bagëtishë nga tri fshatrat: Pogragjës Stublinës dhe Dobrosinit.
Këto çeshme shfrytëzoheshin bashkërisht nga barinjët e këtyre fshatrave dhe nga kostarët në kohën e kositjes.
Dy çeshmet më të vjetra kanë qenë në lugun kryesor që i ndan livadhet përmes, ndërsa katër çeshmet tjera janë në dy anët e rrugës ‘Bulevardi i Luginës’.
Në fillim të livadheve në anën e majtë të rrugës ishe Çeshmja e Hajrijes së Islamit, bijë e Pogragjës, ku është tash Çeshmja e Xhevat Sabedinit nga Stublina.
Pak, më lartë në anën e djathtë të rrugës ishte Çeshmja me dollap, me rezervuar, pa çep dhe uji nxirrej me tas. Afër saj tani është çeshmja e re e R. Shefkiut nga Dobrodini
Bunarët
Pogragjasit ujin për pije dhe bujqësi e kooshtari e kanë shfrytëzus në mënyrë të përbashkët edhe nga bunarët e shumtë në fusha e ara.
Ne do t’i përmendim dy kryesorët që kanë ardhë si toponime të ruajtura: Bunari i Përronit të Bunarit dhe Bunari i Borotinit.
Bunari më i vjetër, Bunari i Përronit t’Bunarit, gjendet në anën e majtë të rrugës Pogragjë – Dobërçan.
Afër këtij bunari ka qenë e ngritur Karaulla e bullgarëve, gjatë sundimit bullgar.
Bunari tjetër është në anë e djathtë të rrugës, në fund të Përronit të Borotinit, nga i cili përrua e ka marrë emrin.
Të gjitha këto burime uji, kroje, çezma e bunare janë jo vetëm një hidro-pasuri, por edhe një pasuri gjuhësore për emërvendet e Pogragjës.