Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa e shtëpi, duke shkaktuar humbje, por edhe pasiguri. Raste të tilla jo rrallëherë ndodhin edhe në pronat e biznesmenëve kosovarë, në të cilat ata arrijnë të depërtojnë me qëllimin për të kapur para apo gjësende me vlerë.
Cak i hajnave të shtunën ishte edhe shtëpia e pronarit të ‘Vali Ranch Resort SH.P.K.”, Fehmi Fetahi, i cili e denoncoi rastin në Polici, mbrëmjen e së premtes.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Fetahi, ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka raportuar vjedhjen e disa stolive në shtëpinë e tij. Sipas informacioneve të para, hajnat ia kanë mësyrë shtëpisë së Fetahit, ku ‘avulluan’ unaza e orë dore, që kapin vlerën e rreth 22 mijë eurove.
Posa rasti u raportua, njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Ndërkohë, rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjilan dhe është bërë e ditur sse rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa kanë nisur hetimet.
“Fsh. Përlepnicë, Gjilan 15.07.2023 – 23:30. Është raportuar se në shtëpinë e ankuesit mashkull kosovar nga persona ende të panjohur janë vjedhur disa gjësende. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar edhe prokurori.”/Sinjali/