Ndonëse nuk i dihet fundi pandemisë së Covid-19 deri në përfundimin e saj personeli shëndetësor në Kosovë do t’i marrë shtesat nga 300 euro.
Në listën e përfituesve nga vendimi i Qeverisë së Kosovës, janë të përfshirë mjekët e infermierët të cilët kanë punuar direkt me pacientë të infektuar me Covid-19, një pjesë e stafit mbështetës, higjienistët, kuzhinierët, dhe personeli mbështetës që ka bartur bombolat e oksigjenit nëpër dhomat e pacientëve me Covid-19.
Kështu ka bërë të ditur për gazetën Objektiv ushtruesi i detyrës së Drejtorit t Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.
“Ekziston edhe një pjesë e stafit mbështetës apo stafi teknik të cilët kanë qenë të angazhuar direkt në trajtimin e pacientëve me Covid-19. Siç janë higjienistët, kuzhinierët që i kanë shërbyer bukën pacientëve dhe po ashtu shërbime tjera teknike sidomos personeli mbështetës që ka bartur bombolat e oksigjenit gjatë gjithë kohës nëpër dhomat e pacientëve me Covid-19”, tha Krasniqi.
E, ky stimulim për personelin shëndetësor të SShKUK-së ende nuk ka ndodhur.
Krasniqi tha se janë në kontakt me ministrinë e Shëndetësisë dhe me Qeverinë që të gjendet një rrugëdalje edhe për ta.
“Punëtorët e ShSKUK-së ende nuk i kanë marrë ato shtesa dhe jemi në bashkëbisedim me ministrinë dhe Qeverinë që të gjejmë një rrugëdalje ta tejkalojmë këtë situatë. Mendoj që punëtoret shëndetësor e kanë bërë punë të madhe, dhe i kanë kryer detyrat e tyre profesionale në raport me pacientët me Covid-19”, tha më tutje Krasniqi për Objektivin.
Numri i të infektuarve me Coronavirus në Kosovë, për Krasniqin mbetet i lartë, ani pse në Klinika dhe spitale të vendit numri i pacientëve që po marrin trajtim për këtë virus, ka rënë.
“Kemi ende diku rreth 450 pacientë që janë të shtrirë nëpër spitalet tona. Nga ta i kemi diku rreth 300 pacientë që janë me oksigjeno-terapi. Ende pra kemi numër të madh të pacientëve, disa janë edhe në gjendje të rëndë, sidomos pacientët që janë të kyçur me respirator dhe ata që janë me metodën Cipa të frymëmarrjes së asistuar mekanike”, ka bërë të ditur më tej Krasniqi.
Muajt gusht dhe korrik në Kosovë janë karakterizuar me numër të madh të pacientëve që kanë kërkuar trajtim në klinikat e QKUK-së.
“Kemi vënë në dispozicion gjatë kësaj kohe rreth 750 shtretër, ndërkohë që maksimumi që i kemi pasur të shfrytëzuar ka qenë rreth 650. Kemi mbajtur në dispozicion numër më të madh të shtretërve në mënyrë që nëse paraqitet nevoja shtesë, ata t’i kemi në dispozicion. Tani kemi një numër më të zvogëluar, por është prapë numër i madh”, theksoi Krasniqi.
Rënia e numrit të rasteve me këtë virus, ka bërë që për një afat të shkurtër kohor të mbyllen reparti i Gjinekologjisë dhe ai i Neurologjisë ku ishin të shtrirë të infektuarit me Coronavirus.
Të infektuarit me Covid-19 tani janë duke marrë trajtim vetëm në Klinikën e Infektives, në Pomologji si dhe në atë të Kujdesit Qendror Intensiv.
“Ne kemi arritur që para 10 ditëve e ta mbyllim repartin e operativës në Gjinekologji ku kishim disa raste me Covid-19, po ashtu kemi mbyllur edhe repartin e Neurologjisë. Dhe tani brenda QKUK-së jemi duke i trajtuar pacientët vetëm në Klinikën e Infektives, Pomologjisë dhe në Klinikën e Kujdesit Intensiv Qendror”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka mohuar edhe raportimet në media se në Klinikën e Pomologjisë po marrin trajtim në hapësira të përbashkëta pacientë të infektuar me Coronavirus dhe ata me sëmundje tjera.
Megjithëkëtë i pari i ShSKUK-së lidhur me këtë ka edhe një sqarim.
“Pacientët të cilët spitalizohen në një klinikë të caktuar deri në konfirmimin e një rezultati, mbahen të veçuar ose në dhoma me shtretër që respektojnë distancën fizike. Në momentin që e marrin rezultatin dhe konfirmohen që janë pozitiv, atëherë ata vazhdojnë të qëndrojnë në dhoma bashkë me pacientë pozitiv, dhe nëse janë negativ qëndrojnë me pacientë që nuk janë të prekur me këtë virus”, ka sqaruar më tutje ai.
Shqetësues për Krasniqin mbetet fakti që virusi Corona ka arritur të mbijetojë gjatë sezonës së verës, derisa ishte parashikuar e kundërta.
“Është shumë e vështirë që të parashikohet se çka do të ndodh në vjeshtë ose në dimër. Treguesit nuk janë edhe aq të mirë sa i përket këtij fakti. Është shumë shqetësues që virusi ka arritur të mbijetoj gjatë gjithë sezonës kalendarikë duke përballuar edhe temperaturat e larta, dhe duket që do të jetë edhe një periudhë e gjatë kohore kur ne do të bashkëjetojmë me këtë virus”, ka thënë Krasniqi për Objektivin.
Ndryshe, dy ditë më parë para objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, vozitësit e ambulancave dhe pastrueset e këtij institucioni kanë protestuar për largimin nga listat e pagesave stimuluese për rrezikshmëri në punë në kohë pandemie.