As shtetasit e Gjermanisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar rezultatin e testit PCR-negativ.
Pas rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, edhe ky shtet i është bashkuar listës së shumë shteteve me rrezik të lartë të infektimit.
Përpos Gjermanisë, kësaj liste iu shtuan edhe tri shtete të tjera, duke bërë kështu që numri i vendeve me rrezik të lartë të infeksionit me COVID-19 të shkojë në 24.
Shtetet të cilat Kosova i konsideron me rrezik të lartë të infektimit bazuar në përditësimet e fundit janë: Franca, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Polonia, Rumania, Portugalia, Austria, Hungaria, Irlanda, Sllovakia, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda, Qiproja dhe Lihtenshtajni.
Shtetet në fjalë kanë pasur një numër të lartë të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.
Banorët e shteteve të cilët lejohen të hyjnë edhe pa poseduar testin PCR janë: Suedia, Greqia, Norvegjia, Finlanda, Latvia dhe Estonia.
Nga Ministria e Shëndetësisë janë dhënë edhe detaje për mënyrën se si një vend vendoset në shtet që ka rrezik të lartë të infektimit.
Nga MSH u bë e ditur se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në ueb-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo e cila përditësohet në vazhdimësi.
“Lista është e publikuar në eeb-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”,deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.