Mursel Bajrami, banor i fshatit Devajë të Vitisë, para 40 viteve kishte dëgjuar se në vendin ku jeton ka minerale.
Madje, ai thotë se në këtë vend kishin kryer hulumtime gjermanët, të cilët kishin konstatuar se vendi nuk guxon të banohet.
Këtë rrëfim ia kishte treguar babai, atëherë përfaqësues i fshatit.
Por, ky tregim po bie ndesh me deklaratën e Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve (KPMM). KPMM-ja njofton se megjithëse do të bëhen hulumtime, ndërsa objekt hulumtimi nuk do jetë edhe uraniumi.
“Për momentin ne zonën e Devajës dhe më gjerë ekziston një ndërmarrje e licencuar për hulumtim të vendburimeve minerale metalore, por që objekt hulumtimi nuk ka Uraniumin,” thuhet në përgjigjen e KPMM’së e dërguar përmes postës elektronike.
Megjithatë, nga ky Komision nuk e mohojnë se ka pasur hulumtime gjatë periudhës së Ish-Jugosllavisë.
“Në lidhje me Uraniumin ne Devajë dhe përreth, kemi dëgjuar se në ish-Jugosllavi janë bërë hulumtime..”, njofton KPMM-ja.
Komuna e Vitisë gjithashtu ua ka dërguar, në maj të këtij viti, njoftimin banorëve për lëshimin e tokës në shfrytëzim dhjetëvjeçar.
Aty është sqaruar se gjithçka lidhet me mineralet që ndodhen në tokën e fshatit.
“Destinohet të jepet për shfrytëzim për nxjerrjen e mineraleve”, thuhet në njoftimin e komunës drejtuar devajasve.
Panik institucional
Në lidhje me mineralet në këtë fshat, përgjigje u kërkua edhe nga Komuna e Vitisë. Ky institucion gjendet në një cep të ngushtë, ku po priste një grumbull qytetarësh. Ishte e hënë.
Prisnin përballë sporteleve me xhama, në të cilët mund të vëreje shenja gishtërinjsh, që mund të jenë bërë me pahir nga qytetarët që do jepnin shpjegime me anë të duarve.
Hapësirë e ngushtë ishte edhe Zyra për Informim e kësaj komune. Në bisedën e dytë pas përshëndetjes, me të treguar njoftimin që kishte lëshuar kjo komunë, filloi të krijohej një panik tek zëdhënësi i kësaj zyre.
Ky panik nxiti që ta aktivizonin lojën e pingpongut në mes të këtij të fundit dhe autoritetit kontraktues – nga zyrtari për informim të kërkohej përgjigje tek autoriteti kontraktues, ndërsa ky i fundit thoshte se duhet bërë kërkesë.
Paniku institucional shkoi edhe më larg, saqë njëri nga banorët e fshatit Devajë deklaroi se komuna ia kishte konfirmuar se dikush kishte filluar të “gërmonte” në lidhje me mineralet e këtij fshati.
Sqarim u kërkua edhe nga pjesëtarët e Vetëvendosjes, opozitarë të kësaj komune, por të cilët nuk gjendeshin në seli.
Megjithatë, njëri nga pjesëtarët tha se kishte dëgjuar fjalë se mund të ketë uranium në zonën e Devajës, ndërkaq siguronte se në fshatin Stubllë të komunës së Vitisë, kishte prani të këtij minerali.
“Shqiptarët, armiq të vetvetes!”
E njëri nga banorët e këtij fshati, i cili nga duart e rrudhura dukej se ishte diku rreth kah të 60-tave, pasi kuptoi se kërkohej procedurë për qasjen në dokumentacion publik, e shprehu mllefin me një thënie popullore.
“Shqiptarët hon e don jon kanë armiq të vetvetes”, theksonte ai, ndërsa bëhej bisedë për Komunën e Vitisë./gazetaexpress/
Autorë: Granit Bajrami dhe Besnik Gashi. Janë studentë të gazetarisë në UP.