Si pasojë e përhapjes së gripit sezonal dhe viruseve të ndryshme, kohëve të fundit është rritur numri i pacientëve që kërkuan trajtim ambulantor nëpër qendrat e mjekësisë familjare, si dhe hospitalizim në QKUK. Profesionistët bëjnë thirrje që të shmanget frekuentimi i vendeve publike tek apeluan që të mos përdoren antibiotikë.
Përhapja e gripit sezonal, e viruseve dhe e infeksioneve të ndryshme ka bërë që gjatë kohëve të fundit të rritet fluksi i pacientëve që kërkuan trajtim mjekësor nëpër qendra të mjekësisë familjare dhe në Qendrën Klinike Universitare.
Në Emergjencën e Pediatrisë në QKUK kanë thënë të jenë të mbingarkuar me raste ambulatore, por edhe me hospitalizime.
Pediatrja Afërdita Selmanaj bëri të ditur se simptomat më dominuese te shumica e rasteve janë temperatura e lartë trupore dhe kollitja e zgjatur.
“Për shkak të viruseve që janë në qarkullim, këto ditë kemi pasur shtim të numrit të rasteve. Për 24 orë, 140-150 pacientë, prej tyre 25-30 janë hospitalizuar. Prej simptomave kanë dominuar temperaturë, kollitje, një kollë e zgjatur me sekrecione deri dy në tri javë. Mosha më e prekur, mosha e vogël, fëmijët deri në 3 vjet”, ka thënë Selmanaj.
Krahas fëmijëve, simptoma të ngjashme kanë shfaqur edhe të rriturit.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, ka thënë se numri i pacientëve me këtë simptomologji ka shënuar rritje prej rreth 30 për qind gjatë periudhës së dimrit.
“Edhe te ftohja edhe tek gripi, simptomat e para fillojnë menjëherë dy ditë pas, dy deri në tri ditë pas infeksionit viral, por që zakonisht 7-10 ditë ato kalojnë. Por kolla te disa raste mbetet edhe një përqindje e ulët e pacientëve të cilët kanë qenë të ftohur apo me grip, mbetet kolla si simptomë edhe për një kohë më të gjatë, dy-tri javë, nganjëherë edhe më gjatë”, ka thënë Hoxha.
E Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka thënë se brenda ditës i trajton deri në 50 pacientë me simptomalogji gripoze. Krahas kësaj, ai ka thënë të ketë pasur edhe raste me COVID-19.
“Ne kemi goxha fluks të pacientëve që kanë shenja pak a shumë të ngjashme, kollitje, temperaturë, dhembje të fytit, shkuarje hundësh që më me gjasë janë simptoma të një infeksioni me virus, mund të ketë edhe diçka tjetër por kryesisht janë virale. Mund të them që kam pasur 50 pacientë në ditë”, ka deklaruar ai.
Për të parandaluar përhapjen e viruseve profesionistët apelojnë që qytetarët të shmangin përdorimin e antibiotikëve, si dhe të mos i frekuentojnë hapësirat publike.
“Këto raste që janë virozat e kësaj stine nuk duhet të merren antibiotikë, të merren sa më shumë lëngje, të kontrollohet temperature me paracetomol, me brufen dhe të jepen sa më shumë vitamina”, ka thënë pediatrja Selmanaj.
“Pacienti i cili është i infektuar me virus përmes teshtitjes apo kollës e bën përhapjen, kështu që t’u iket vendeve ku mblidhen njerëz shumë”, ka thënë drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha.
Krahas sezonit me grip, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik një ditë më parë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar të qytetarëve shkaku i nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.