Të mërkurën e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi taksë 100% për të gjitha mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ky vendim u mirëprit nga institucionet, bizneset dhe qytetarët e Kosovës, por po vazhdon të kundërshtohet nga autoritetet serbe dhe boshnjake.
Pas vendosjes së taksës, në media u raportua se serbët nuk po e ndalin transportin me mallra, duke i futur ato ilegalisht në territorin e Kosovës.
Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka thënë se me vendosjen e taksës 100%, janë shtuar edhe forcat në kufi.
“Policia e Kosovës në planin e saj, dhe në bashkëpunim dhe bashkërendimin të aktiviteteve me KFOR-in, ka shtuar prezencën në ketë pjesë të kufirit, për të parandaluar dhe luftuar krimin ndërkufitare”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Portali ka pyetur institucionin e sigurisë edhe për deklaratën e disa serbëve, të cilët kishin thënë se po fusin mallra në Kosovë duke shfrytëzuar malin, por nuk ka marr përgjigje konkrete.
“Ndërsa sa i përket rasteve të mundshme te të gjitha natyrave ato publikohen në raportet 24-orëshe të PK-së të cilave mund t’u referoheni në baza ditore”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sa i përket furnizimit me produkte ushqimore, kryetari i përkohshëm i Mitrovicës Veriore, Aleksandar Spiriq ka thënë se serbët atje nuk kanë mjaftueshëm ushqim dhe se rezervat gati u kanë përfunduar.
Banorë të shumtë të veriut, ditëve të fundit janë ankuar për mungesë të furnizimit me produkte ushqimore si dhe të barërave.