Nga prilli, rryma në Kosovë mund të rritet për 15 për qind.
Por, kjo rritje nuk do të vërehej vetëm në fatura, do të kishte efekte zinxhirore në gjithë ekonominë.
Aktualisht nëse shpenzoni deri në 800 kilovat rrymë në muaj, paguani 7.79 centë gjatë ditës. Me rritjen e paralajmëruar, çmimi do të shkojë në 8.96 cent. Për ata që i tejkalojnë 800 kilovat, çmimi është më i shtrenjtë, mbi 14 centë për kilovat.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se shtrenjtimi është i pashmangshëm. Prodhojmë e pak, konsumojmë e shumë dhe jemi të varur shumë nga importi.
Sektori i Amvisërisë shpenzon deri në 65 përqind të rrymës së konsumuar në Kosovë. Për përdorim komercial shpenzohet në 21 për qind, ndërsa për sektorin e industrisë vetëm 7.5 për qind.
Kosova nuk arrin t’i mbulojë vetë nevojat e saj me energji. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B janë të vjetra dhe joefikase.
Kjo i godet drejtpërdrejt bizneset, sidomos ato prodhuese.
Një fabrikë që paguan 1000 euro në muaj për rrymë do të paguajë 1150 euro në rast të shtrenjtimit për 15 për qind.
Përfaqësuesit e bizneseve paralajmërojnë se me shtrenjtimin e rrymës, do të rriten edhe çmimet e produkteve esenciale, bukës, qumështit e vajit. me rritjen e vazhdueshme të çmimeve që nga shpërthimi i pandemisë Covid 19 dhe luftës në Ukrainë, qytetarët janë të shqetësuar për një valë të re shtrenjtimesh.
Në qershor pritet edhe një ndryshim.
Kompanitë e mëdha mund të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me rrymë dhe të dalin në treg të hapur si pjesë e liberalizimit të tregut të energjisë.
Afaristët thonë se ky tranzicion mund të nënkuptojë qimime më të larta të rrymës, mbi 50 centë për kilovat dhe rrjedhimisht edhe shtrenjtim të çmimeve të produkteve.
Odat ekonomike kërkojnë që ky proces të shtyhet, duke argumentuar se vendi ende nuk është gati.
Por ZRRE-ja këmbëngul se tregu është i përgatitur dhe se do të mbikëqyret rreptësisht, raporton Radio Evropa e Lirë.