Çmimet e produkteve ushqimore dhe të ngrohjes janë rritur deri në 56 për qind gjatë muajit tetor, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së ASK-së, rritja mesatare e të gjitha çmimeve gjatë këtij muaji të vitit 2022 krahasuar me tetorin e vitit 2021 është 12.7 për qind.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it:
“Lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me mbi 56 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me mbi 42 për qind, buka dhe drithëra me mbi 29 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me mbi 27 për qind”, thuhet në komunikatë.
Sipas ASK-së, rritje të çmimeve kanë shënuar edhe mishi, sheqeri e derivatet e naftës.
“Mishi rreth 23 për qind, sheqeri, çokollatat dhe ëmbëlsirat mbi 21 për qind ndërsa karburantet dhe lubrifikantët për transport me mbi 20 për qind rritje krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatë.