Dhuna në familje ka shpërthyer gjatë pandemisë sa kohë kufizimet na mundësuan më tepër orë qëndrimi në banesë dhe për rrjedhojë, më tepër orë pranë të afërmve. Për disa, grindjet e vogla u kthyen në ortek dhune, ku kryesisht më të pambrojturit, rezultuan gratë dhe të moshuarit.
Dy vëllezër u rrahën me njëri tjetrin, pas konfliktit se cili prej tyre duhet ta mbante nënën e moshuar, kurse një grua dhe vjehrri e vjehrra e saj, u rrahën paq nga djali i shtëpisë, pasi ai u kap prej tyre duke vjedhur lodrat. Të dyja dosjet u vendosën në dispozicion të GazetaSi.al nga policia që pohon se dhuna në familje është rritur me 30% gjatë pandemisë dhe se në vend të parë, qëndrojnë gratë.
R.P, është një 34-vjeçare e martuar prej 12 vitesh dhe çifti ka një fëmijë të moshës 10 vjeç. Ndonëse pandemia ndryshoi rutinën e kujtdo, asgjë nuk e ndaloi bashkëshortin e saj që të linte drogën, i cili rezulton se është përdorues i kanabis sativës.
Përpos këtij problemi, ai u bë agresiv dhe kërkonte para nga gruaja dhe dy prindërit. Të tre familjarët përfunduan njëri pas tjetrit në komisariat me vetëm një akuzë.
“D. u grind me nënën e tij dhe më pas u grind me mua, kërkonte para prej meje. Pasi nëna nuk i dha para, ai e shau dhe më pas m’u kthye dhe mua. Më vendosi duart në fyt dhe theu pasqyrën e korridorit. Shkoi në dhomën tjetër dhe nisi të mbledhë lodrat e djalit tonë me qëllim për t’i shitur. E pengova dhe të njëjtën gjë bëri edhe vjehrra. D. më goditi me grusht në pjesën e pasme të kokës dhe m’i tërhoqi me forcë lodrat. Në inat e sipër, i theu disa prej tyre dhe bërtiste dua para. Në këtë përleshje, ndërhyri babai i D.,të cilin e shtyu edhe atë”, – rrëfen në kallëzim gruaja.