Mbrëmja e kaluar ishte e gjatë për shumë prej minatorëve që ishin në ndërrimin e dytë në Minierën e Trepçës, të cilët nuk e kishin paramenduar që do të mbesnin të ngujuar deri në orët e vona të pasmesnatës.
Gazetari korrespodent i Klan Kosova, Urall Boshnjaku, në emisionin “Ora Shtatë” bëri të ditur se 63 minatorë kishin mbetur të ngujuar në horizontet 8, 9, 10 dhe 11, si pasojë e djegies së një trafoje të energjisë elektrike në tunelin e parë, transmeton Klankosova.tv.
“Deri në orët e vona pasmesnatës aty ndodheshin ekipet e zjarrfikësve të cilët bënin çmos së bashku me ekipet teknike që t’i nxirrnin të gjithë minatorët në gjendje të mirë, dhe të ndalej zjarri në trafostacion. Për fat të mirë, deri diku rreth orës 03:00 të mëngjesit, besoj se një numër i madh i minatorëve kanë dalë, dhe besoj se deri në atë kanë mbetur edhe diku rreth pesë minatorë në Minierë, kryesisht që kishin probleme më të rëndë shëndetësore. Shpresoj që të kenë dalë edhe ata, pasi nuk kam arritur të kontaktoj më”, u shpreh Boshnjaku.


