Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu po e synon edhe një mandat për të parin e kësaj Prokurorie.
Në koncept-dokumentin e tij se si e sheh ai gjendjen aktuale të Prokurorisë së Gjilanit, ka shkruar se Prokuroria gjatë vitit 2023-2024, ka qenë në gjendje kritike, pasi ka pasur zvogëlim të numrit të prokurorëve nga 17 në 10, por që sipas tij, përkundër numrit të vogël ata kanë menaxhuar lëndët dhe ka pasur pak lëndë të bartura nga viti në vit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, sipas tij, problematikë mbeten kallëzimet penale me persona të panjohur, për çka thotë se janë bartur që nga viti 2000.
Kadriu vlerëson se kanë arritur sukses të lartë në zgjidhjen e lëndëve përmes procedurave alternative, ku ka theksuar se në vitin 2023 janë zgjidhur 45.6 % e lëndëve përmes këtyre procedurave dhe urdhrit ndëshkimor.
Ai ka thënë se përkundër që numri i prokurorëve është i vogël në krahasim më numrin e gjyqtarëve në penale, përmes bashkëpunimit kolegial, arrihet që lëndët të përfaqësohen në gjykatë.
Kadriu ka theksuar se kanë arritur marrëveshje me kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit që ditëve të hëna të caktohen seanca që janë urgjente, ndërsa të premteve të mos të ketë seanca, në mënyrë që gjyqtarët të përpilojnë vendimet, ndërsa prokurorët të intervistojnë palët.
Përkundër rezultateve, ai ka thënë se vlerësojnë që rritja e nevojshme e profesionalizmit duhet të arrihet përmes trajnimeve të vazhdueshme.
Sipas tij, sfidë është bashkëpunimi me Institutin e Mjekësisë Ligjore për shkak të vonesave të raporteve të autopsisë. Kurse, për bashkëpunimin me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, tha se ka vonesa në ekzaminimin e armëve, ekzaminim të narkotikëve, pajisjeve elektronike, analizave të ADN-së, serologjike, etj.
Po ashtu, ai ka thënë se ka vonesa edhe në ekzaminimet që kryen Instituti i Psikiatrisë Forenzike dhe të gjitha këto ndikojnë në efikasitetin dhe ekonomizimin e procedurës penale.
Kadriu ka thënë se duhet të vazhdohet trajtimi me efikasiteti i rasteve të dhunës në familje, veprat kundër integritetit seksual, krimeve ekonomike, korrupsionit dhe trafikimit me qeniet njerëzore.
Kryeprokurori Kadriu ka thënë se Prokuroria e Gjilanit është duke punuar në harmoni të plotë me planin e punës dhe politikat që dalin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Tha se mbajnë kolegjiume çdo të hënë, kur prokurorët kujdestarë raportojnë punën e tyre javore. Ndërsa, administrata përpilon raporte mujore për të gjithë prokurorët se sa lëndë kanë pranuar, sa janë zgjidhur dhe sa lëndë janë bartur.
Lidhur me vizionin për të përmirësuar punën operative, Kadriu ka theksuar se do vazhdojnë rritjen e bashkëpunimit mes Prokurorisë, Policisë, ATK-së, Doganës dhe agjencive tjera. Ai thotë se gjatë këtyre viteve, kanë avancuar dukshëm në hapjen ndaj publikut, duke mbajtur kontakte me media, publikimin e komunikatave, njoftimeve e sqarimeve.
Objektiva kryesore e tij thotë të jetë rritja e besimit të publikut në sistemin prokurorial, pasi kështu prokurorët do të ndihen më të sigurt në punën e tyre. Objektivë tjetër ai thotë se është ndjekja penale, zhvillimi i hetimeve, ngritja e aktakuzave dhe përfaqësimi i tyre në gjykatë në mënyrë profesionale.
Kadriu ka shtuar se llogaridhënia në Prokurori, obligon prokurorët të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, kërkon vendimmarrje të bazuar në ligj, të arsyetuar mirë, raportim të punës dhe përmbushje të detyrave, kontroll të brendshëm dhe respektim të afateve ligjore.
Sfidë gjatë përmbushjes së objektivave, Kadriu i sheh rastet e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë, pasi sipas tij, deri më tani nuk ka një praktikë unike, andaj trajtimi i prokurorëve në këtë drejtim është i nevojshëm. Po ashtu, edhe trajtim të nevojshëm e sheh edhe të rastet kur kemi të bëjmë me krime kibernetike dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit penal.
Për tejkalimin e sfidave, Kadriu thotë se do punojnë ngushtë me KPK-në dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe do motivojnë prokurorët që sa më shumë raste të kryhen përmes procedurave alternative.
Modeli i tij për menaxhimin e stafit, thotë se është përmes komunikimit të hapur, ku ata ndihen të lirë të shprehin ide, shqetësime dhe sugjerime dhe përmes trajnimit dhe zhvillimit profesional. Ndërsa, në bashkëpunim me administratorin, thotë se do kërkohet llogaridhënie nga stafi administrativ përmes raporteve javore, ndarje të barabartë të punëve dhe takimeve të rregullta.
Ai ka shtuar se do vazhdojnë të publikojnë informacione për publikun, të jenë të hapur ndaj mediave, duke ruajtur privatësinë edhe të drejtat e personave të përfshirë, pa rrezikuar procedurat hetimore. Dhe se çdo të hënë, do presin qytetarë-palë të interesuara, të cilëve ju jepen informacionet e kërkuara.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK), në mbledhjen e 275-të mbajtur më 25 nëntor 2024, ka konfirmuar listën me kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren. /BetimipërDrejtësi