Dita e Mësuesit – dikur dhe sot
Në vitet e 80-ta, gjeneratës sime nuk i shpjegohej për hapjen e shkollës së parë shqipe. Krejt çka dinim për këtë ditë, kishim lexuar fshehurazi.
Ideja, që ta befasonim kujdestarin e klasës me një fotografi të rilindasve shqiptarë të futur në një kornizë, gati na kushtoi me largim nga shkolla. Si maturantë që ishim, po përfundonim gjimnazin, dolëm e blemë fotografinë në një dyqan të vjetër të qytetit. Të nesërmen ikëm fluturimthi në shkollë, të gëzuar sa s’ka, që do ta nderonim kujdestarin, aq më tepër që ai ishte mësimdhënës i lëndës së Gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Por, befasia ishte e madhe: për çudi, kujdestari ynë, jo që e pranoi dhuratën, por ishte alarmuar e gjithë shkolla (drejtori, profesorët, nxënësit e shkollës). Spiunët po vëzhgonin çdo gjë, pra edhe ne, derisa i kishim kryer “këto punë”. Drejtori, bashkë me kujdestarin po na merrnin në pyetje të gjithëve, se kush ishte ideator i kësaj “meseleje”, çka po fshihnim pas kësaj, kush na kishte nxitur etj. Na kërcënuan se do të na largonin edhe nga shkolla. Ne nuk kishim ide se ç’të keqe kishte kjo punë, sepse ne deshëm vetëm që ta nderonim kujdestarin tonë dhe asgjë më shumë.
Sot, gjërat kanë ndryshuar. Dita e Mësuesit/es shënohet gjithandej ku ka shqiptarë dhe shkolla shqipe. Tash, si mësimdhënëse, mendoj nga një këndvështrim tjetër: po të kisha qenë në vend të kujdestarit tim a do të kisha vepruar si ai? A do t’ua kisha thyer dëshirat nxënësve, të cilët jo lehtë përpiqen që t’i nderojnë mësimdhënësit? Mbase koha ishte e tillë, që njeriu duhej të ruhej edhe nga vetja.
Megjithatë, sot, s’na ndalon askush që t’i shprehim urimet tona për mësuesit.
Gëzuar Ditën e Mësuesit/es për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë!