Cila është mëhalla që la gjurmë në jetën e qytetit dhe përtej ?!
Baleci, kronikë në kohë!
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e jetës!
Si jetohej dikur në lagjen “Baleci”? Kush ishin banorët e parë? Cilat familje u shpërngulën në Turqi? Me çka ishin të shtruara sokakët e lagjës? Si i lanin ato? Kush ishin mjekët e parë? Kush ishin juristët e kryetarët e parë? Cila familje i kishte të gjithë fëmijët të shkolluar? Kush ishte shkrimtari i parë i kësaj mëhalle dhe i qytetit? Kush ishin gazetarët e parë? Kush e solli rrymën në qytet dhe kur? Cila ishte femra e parë e kësaj lagjeje me fakultet? Pse është e njohur çezmja e Balecit? Çfarë lojërash luanin fëmijët? Ku blenin pitalka gjatë Ramazanit? Kush ishin këpuctarët e parë? Kush ishin rrobaqepësit e parë? Kush ishte fotografisti i parë? Kush i bënte pleskavicat më të mira? Cila familje e Gjilanit sot në Turqi ka firmën “Gilan”, dhe me çka i furnizon këngëtarët më të njohur në botë dhe Holivudin? Çfarë vetura voziteshin atëherë? A vërshonte Dobrusha (sot Mirusha)? etj, etj…
1.
Ah Gilan.. Unë kam lindur me 1955 në Çarshi mëhallë, që fillon nga qendra deri te shkolla “Musa Zajmi”, te shtëpia e Isa Iliazit, ku fillon mëhalla e Balecit dhe deri te ura mbi Dobrushë, prej nga fillon Sheqer mëhalla. Kjo mëhallë, pjesërisht, para vitit 1912, ishte pjesë e mëhallës “Xhedide”, ku hyn në tërësi mëhalla e Balecit.
Sipas shënimeve (“defternamës”) të vitit 1846 “Cedide” mëhalla kishte 36 shtëpi me 185 banorë. Atëherë, në këtë mëhallë jetonin Dedovitët, Demirët, Novobërdalitë, Dizdarët , familja e Mulla Avdes dhe dhëndurët e Asllan Agë Tokatit. Xhedide mëhalla kishte çezmen e njohur te Balecit dhe të Asllan Agë Tokatit, ku sot janë shtëpitë e Mehmetalëve. Në popull flitej se kush nuk e din ku është çezmja e Balecit, “ai nuk është tamam me mend!” Aq shumë e njohur ishte kjo çezme dhe kjo mëhallë në atë kohë!
Pas vitit 1912, u vendosën familjet serbe nga Serbia Jugore, pastaj nga Bilinica, Strazha, Livoçi i Epërm, Kufca, Zebinca, Prizreni.
Në mëhallë të Balecit vendosen, pastaj, velekincët – Fetah Rexhepi nga Livoçi i Poshtëm ; me 1957 vendosen banorë nga Muhovci, Vriqevci, banorët Sshkodra nga Desivojca, Veleglavët. Me 1957-1959, nga mëhalla e Çarshi mëhallës për Turqi shpengulen familja e Dedovitëve, Hajredin Kokoshka, Kahvexhilerët, Shefki Kripokapa, Novobërdaliu,Daut Dizdari, Hakiu i Mehmetalëve, Sadija me kunaten dhe nipin, mulla Salihu. Këto shtëpi i blejnë Livoçalitë, Vllada Kufca, Devajët, Tahir Budriga.
Rrrugët në mëhallë ishin me kalldërme elipsoide, çdo tç diele fëmijët me fshesa obori, me shosha ujitnin dhe fshinin sokakun. Ali furraxhiu ishte i njohur me furrën e vet; Qemal Dubova shiste qaija dhe kilfe në furrat e qytetit; Ramushi punonte kalldërme. Axha Shefik i Mulla Avdes, Sllobodani, baba i dr. Milunkës dhe Nexhat Radivojci punonin si teneqepunues, Shefik Gjakovalia dhe Ymer Brestovci shitnin gjëra tekstili. Rexhepi i Halimit i bënte pleskavicat më të mira në qytet. Todori ishte kazanxhi. Nëpër rrugë kalonin romët ortodoks nga Baqevina, duke bërtitur “tepsia, kusia, kush ka me kallaitë!” Jusuf Pozharani ishte gjykatës në atë kohë, axha Emin, djali ish- kryetarit te Gilanit, Ramush Osmanit, u bë kryetar i qytetit.
(Rrëfim i dr. Shevqet Mehmetit)