Sakaq pas luftës kampionati i Kosovës në futboll kishte nisur, teksa klubet kishin filluar të përgatiten dhe të karikojnë përbërjet më të mira të mundshme në skuadrat e tyre përkatëse.
Ishte viti 2000, kur papritmas në Kumanovë zbarkojnë dy ish legjendat e futbollit gjilanas e kosovar, Nehat Osmani dhe Rabit Matoshi, njëri drejtor e tjetri trajner, për të takuar ish bashkëlojtarin dhe shokun e skuadrës në Prishtinë(1983/84), portierin Xhamal Zeqiri.
Pa dyshim, se Zeka, siç e quajnë të gjithë me të parë këta dy miq të tij ishte gëzuar fortë, por, jo që i kishte vajtur mendja për ndonjë transferim të mundshëm në skuadrën “bardhe e kaltër”.
Meqë e njihnin mirë portierin Zeqiri, dhe kishin besim në të, dyshja nga Gjilani i kërkojnë atij, që t’ua gjej një portier me kualitetet të larta, sepse Drita tashmë ishte në një skuadër në ndërtim e sipër dhe kishte ambicie të qarta dhe të arsyeshme për në kampionatin e Kosovës në futboll.
Pasi bisedojnë gjerësisht, dhe lakojnë shumë emra të portierëve që garonin në Ligën e Maqedonisë, Zeka ju thotë miqve të tij, që të qëndrojnë sonte mysafirë të tij, sepse në mbrëmja ka lojë të rëndësishme, një ndeshje me karakter ndërkombëtare. Ai, aso kohe, edhe pse në moshën 36 vjecare mbronte për skuadrën Cementara të Shkupit dhe ishte në formën më të mirë.
Pas kësaj informate përfaqësuesit e Dritës mbesin të stepur, sepse ata kishin menduar se portieri Zeka i kishte varur kohë më parë dorëzat në mur.
Duke e ditur se në Kosovë asokohe aplikohej ora policore prej orës 8 në mbrëmje deri në 6 të mëngjesit, dhe se pas kësaj kohe nuk mundesh të futesh dhe as të dalësh, zyrtari Osmani pa asnjë mëdyshje, i befasuar për së miri, që Zeka ende ishte aktiv, dhe duka ja ditur cilësitë që posedon, i thotë troç, Ju do të transferoheni menjëherë në KF Drita.
Dhe natyrisht se misioni i zyrtarëve të Dritës merr dritën jeshile edhe nga Zeka, i cili nuk kishte mundur t’ju thotë jo shokëve të tij.
Nga modestia dhe sinqeriteti, portieri nga Kumanova kishte kërkuar vetëm harxhimet e rrugës. Mirëpo, që pas ndeshjes së parë ndaj Ferizajt, ai jo vetëm që kishte qenë lojtari më i mirë i takimit, ku kishte pritur edhe një penalti, ai merr në fund të ndeshjes një zarf nga klubi.
Për momentin nuk e kishte shikuar fare, mirëpo diku ka gjysma e rrugës në t’u kthyer në vendlindje hap zarfin dhe shef një shumë të caktuar të hollash.
Natyrisht se befasohet, teksa me vete thotë se është bërë sigurisht ndonjë gabim eventual, se nuk ka mundësi të jenë kaq shumë të holla, meqë fjalët kishin qenë ndryshe, vetëm harxhimet e rrugës.
Në ndeshjen e radhës, “gardiani i ri “ i Dritës ju thotë zyrtarëve të Dritës se keni gabuar dhe më keni dhënë shumë më tepër seç duhet.
Mirëpo kjo për drejtuesit e Dritës ishte e natyrshme dhe ishin në dijeni se çka kanë vepruar dhe i ofrojnë një kontratë të re, të cilin ai e pranon.
Zeka ka mbrojtur për Dritën nga vitit 2000 deri në 2004, ku me këtë klub ai ka fituar titullin kampion të Kosovës për edicionin 2002/03 dhe fituese e Kupës së Kosovës më 2000/01.
Me shumë dashuri dhe krenari, në vazhdimësi, kudo që është, e potencon se koha më e mirë , që e ka kaluar si sportist në karrierën e tij, është periudha kohore në KF Drita të Gjilanit.
Aktualisht merret me zejen e trajnerit për të rinj dhe ka një shkollë futbolli me emrin “Kumanova 2010”.
Shkruan: Fehmi SYLEJMANI