Për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme në të cilat qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kjo mundësi nuk do të ekzistojë më.
Sepse sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit tashmë mund të votojnë për zgjedhjet për kryetar komune vetëm përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit nuk janë të kufizuar vetëm në votimin për Kuvendin – ata mund të marrin pjesë edhe në Zgjedhjet Lokale, si për Kryetarë të Komunave ashtu edhe për Kuvendet Komunale. Mirëpo, sipas Elezit, për ta realizuar këtë të drejtë, duhet patjetër të aplikojnë dhe të regjistrohen me sukses për votim jashtë Kosovës.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, përveç Zgjedhjeve për Kuvend, mund të votojnë edhe në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, nëse aplikojnë dhe regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës. Por, ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale, votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”, theksoi Elezi.
Ndër të tjera Elezi shtoi se përflitet se sipas Rregullores së re, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kujdeset që të gjithë shtetasve të Kosovës që regjistrohen me sukses për të votuar nga jashtë vendit, t’u dërgohen përmes postës fletëvotimi dhe materialet e tjera zgjedhore të nevojshme për votim.
“Në bazë të rregullores së re, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës që regjistrohen suksesshëm për të votuar nga jashtë Kosovës në votimin me postë, t’ua dërgojë përmes postës fletëvotimin dhe materialet tjera të nevojshme zgjedhore për votim. Kjo masë, konsiderojmë se do të ndikojë në integritetin e këtij procesi. Ndërkaq, votuesve u mbetet që pakon me fletëvotim ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, tha Elezi.
Diaspora e Kosovës luan një rol kyç në procesin zgjedhor, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet edhe nga jashtë vendit. Me ndryshimet e fundit ligjore, votimi për zgjedhjet lokale në 12 tetor do të realizohet vetëm përmes postës, duke eliminuar mundësinë e votimit në përfaqësitë diplomatike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën dymbëdhjetë tetor dymijë e nëjzet e pesë (12 tetor 2025) për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Kosovë.
Sipas Zyrës së Presidencës, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.